TIRANË

Erl Murati e sheh me ftohtësi marrëdhënien e acaruar mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare” tha në “Real Story” në News24 se ka tejkalim etike nga të dyja palët, por e krahasoi me përplasjen e disa muajve më parë që solli dhe tubimin e Presidentit.

Sipas Muratit, historia e pluralizmit shqiptar ka treguar se nuk ka divorc final.

“Unë mendoj që shpesh herë këta dy politikanë kanë pasur gjatë kësaj periudhe, gjatë 20 viteve, një marrëdhënie dashurie e urrejtje e cila është kthyer dhe rikthyer herë pas here. Nga pikëpamja politike kjo përplasje nuk shënon asgjë të re ose të rëndësishme. Sa herë ashpërsohet gjuha politike, flitet që njëri nga këta do eliminohet politikisht, unë këtë nuk e besoj.
Është e vërtetë që marrëdhënia Rama-Basha është disa herë më e butë. Për sa i përket marrëdhënies Rama-Meta besoj që nuk përjashtohet asgjë. E shoh si stacion të radhës, një kurbë ulje-ngritje e dy politikanëve që kanë pasur një marrëdhënie. Nëse Meta është President është se e ka bërë Edi Rama, nëse Rama është kryeministër është se e ka bërë Ilir Meta.
Në mars të këtij viti ju patë tubimin e madh të Presidentit të Republikës që fliste me të njëjtën gjuhë si tani kundër Edi Ramës. Tani është kaluar më shumë etika. Nga të dyja palët ka tejkalim etike, por nga ana e përplasjes politike është e njëjta gjë pak a shumë si në mars, ndërkohë që kemi parë që gjatë periudhës së verës përplasja e marsit erdhi duke u zbutur derisa u shua fare. U emërua kryetari i KLSH, ndërkohë që deri në atë moment bllokohej nga maxhoranca në parlament, u bë Dvorani kokë turku, bënë atë takimin me bërryl. Nëse e ndjek 2 vitet e fundit përplasjen duket sikur një prej këtyre të dyve rrezikon karrierën politike, unë nuk besoj kështu. Nuk do çuditesha nëse në të ardhmen e afërt do t’i shihja sërish në krahë të njëri-tjetrit. Historia e pluralizmit shqiptar, jo vetëm e atyre dy personaliteteve ka treguar që nuk ka ndarje, divorc final. Gjithmonë për interesa politike, dhe personale po të doni gjithmonë palët kanë bërë aleanca fluide ose aleanca të qëndrueshme”, deklaroi Murati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb