Nga: VASIL KURETA *
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nis të formësohet një përmbajtje konkrete në marrëdhëniet mes SHBA dhe vendeve europiane. Ajo erdhi duke u pasuruar në përmbajtje, përmes marrëveshjeve esenciale juridike, ekonomike, politike, financiare e ushtarake. Në themel të kësaj marrëveshjeje, që i bashkonte këto vende dhe definonte fizionominë e saj, të dallueshme, ishin vlerat perëndimore, liria dhe demokracia, zhvillimi e progresi, paqja dhe stabiliteti, humanizmi dhe mbrojtja e lirive e të drejtave të njeriut. Cilësia bashkuese dhe identifikuese e kësaj marrëdhënieje u identifikua apo përcaktua qartë si Perëndimi dhe për ta treguar shtrirjen e saj u konsiderua si aleancë euroatlantike.
E gjithë periudha e asaj që u quajt “Luftë e Ftohtë” 1 dëshmoi një përballje frontale, mes Perëndimit dhe Lindjes komuniste, që i përfshiu të gjitha, përveç një përballje frontale ushtarake mes tyre. Kjo periudhë evidentoi qartë një cilësi marrëdhënieje mes vendeve perëndimore, që më shumë bashkonte se sa ndante. Përballja e ashpër mes dy sistemeve ka ndikuar qartë në zhvillimin e kësaj cilësie marrëdhënieje. Përballja mes dy sistemeve të kundërta nuk linte shumë hapësirë manovrimi individual për vendet europiane, apo për aleanca të ngushta të njëanshme mes tyre, veçse bashkëpunimit në bllok me SHBA.
Vendet europiane edhe kontribuonin për aleancën perëndimore, por edhe konsumonin nga bashkimi i tyre dhe pesha, roli, kostoja dhe përgjegjësia që ushtronte e realizonte SHBA. Perëndimi në këtë rrugë funksionimi erdhi duke e rritur presionin e vlerave ndikuese ndaj vendeve të Lindjes komuniste, por edhe konkurrencën fituese në të gjitha fushat, sidomos në zhvillimin ekonomik e të rendimentit në pune, por dhe në sferën e demokracisë e të lirive e të drejtave të njeriut. Koha vërtetoi epërsinë e vlerave dhe të treguesve të zhvillimit të Perëndimit ndaj Lindjes komuniste.
Epërsia që kishte në fillimet e tij, pas përfundimit të luftës botërore, projekti komunist nuk e siguroi dot në vazhdimësi, që ndoqi në fillim një trajektore në ngjitje, por që u shoqërua me kontradikta të brendshme, që e dobësuan, e vështirësuan përballjen, e dobësuan epërsinë e dikurshme dhe e rrëzuan komunizmin, madje dhe me shpejtësi që befasoi dhe vetë Perëndimin. Perëndimi e administroi mirë rrëzimin e komunizmit, duke mbështetur proceset e instalimit të institucioneve demokratike, pluralizmit politik, shtetit juridik, të ekonomisë së tregut dhe duke mbështetur forcat e reja politike që të sendërtonin në vendet e tyre vlerat demokratike e perëndimore. Ishte një periudhë e vështirë dhe me kosto ekonomike e financiare të lartë, që u menaxhua me sukses, sepse përjashtoi ndonjë situatë anarkie, që mund të sillte në krye aventurierë të llojeve të ndryshme, që do të kërcënonin realisht sigurinë, stabilitetin dhe paqen në Europë e në botë. Elementi më thelbësor që u evidentua ishte orientimi i vendeve ish-socialiste të Europës Lindore drejt integrimeve euroatlantike, që e fuqizoi Europën, e cila ishte në rrugën intensive të formësimit e funksionimit si BE.
Element mjaft i rëndësishëm ishte pa dyshim shpërbërja apo më saktë vetëshpërbërja e BRSS, që u shoqërua me daljen si subjekt i rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Federatës Ruse, e cila në kohën e Jelcinit u orientua nga reformat ekonomike e sociale, që i hapën rrugë pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut. Këto ndryshime nuk mund të mos i hapnin rrugë një procesi të rri të modelimit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, pas rrëzimit të komunizmit, që kishte lënë pas ish-superfuqinë BRSS dhe kishte prezente SHBA-të si superfuqia e vetme botërore. Është fakt, që SHBA-të dhe BE u kujdesën që ta afrojnë Rusinë në bashkëpunim në procesin e zhvillimit të përgjegjësive ndërkombëtare, duke e përfshirë në disa formate të krijuara si NATO, G8, G20, në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë etj.
Edhe pse dukej se gjithçka po funksiononte, u shfaqën në proces prirjet dhe ambiciet e Rusisë për superfuqi botërore, me veçori ruse. Kështu u shfaq refuzimi i Rusisë apo kërkesa e saj e vendosur për anulimin e projektit të SHBA-ve e NATO-s për instalimin e sistemit të mbrojtjes raketore, për t’u mbrojtur nga aventura të vendeve të adresuar prej tyre saktë, si Irani dhe Koreja e Veriut në disa vende të ish-kampit socialist, tashmë anëtare të BE e të NATO-s, me argumentin se Rusia ndjehej e rrethuar nga NATO. SHBA dhe NATO iu përgjigjën pozitivisht kësaj kërkese, duke mos e realizuar instalimin e sistemit mbrojtës raketor në këto vende. Rusia përcolli një projekt të saj të arkitekturës së sigurisë europiane, që përfshinte brenda edhe shqetësimet ruse, por edhe ambiciet e saj për një rol në Europë dhe në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Rusia avancoi në këtë drejtim, duke shkaktuar krizën gjeorgjiane dhe tash atë ukrainase. Këto zhvillime nuk mund të mos ndikonin tashmë edhe në evolucionin e marrëdhënieve mes SHBA dhe BE. Këto zhvillime kryen në një moment kur BE kishte akumuluar disa probleme në zhvillimin përmbyllës të projektit të saj, të një problematike të lindur nga diferencat e zhvillimit ekonomik e social mes vendeve anëtare të BE, që tashmë ishte zgjeruar shumë madje dhe në fillim, pa standarde të përcaktuara mirë për anëtarësim, në kushtet kur janë qartësuar vija dalluese zhvillimi mes veriut e jugut, brenda BE dhe në kushtet e ndikimit të krizës së zgjatur të eurozonës. BE ka ngecur në procesin e zgjerimit të saj, teksa ka aktualisht një Ballkan Perëndimor të paintegruar në të plotësisht. Dhe BE nuk mund të jetë as e plotë e as e sigurtë, pa integruar Ballkanin Perëndimor. Kjo mund të kuptohet më qartë, nëse bëhesh realist përballë ambicies së qartë të Rusisë për një rol fuqie në Europë.
Europa vazhdon me skema të ngurta, të varfra e neglizhuese, në kushtet kur realiteti po ndryshon me shpejtësi, kur Rusia po bën hapa konkretë që ta përfshijë këtë pjesë të Europës nën sferën e ndikimit të saj. Nevojitet vërtet një shkundje serioze e BE, që do të mundësonte sa më shpejt Ballkanin Perëndimor, pjesë të integruar plotësisht në BE. Kriza ukrainase e ajo më parë gjeorgjiane, por edhe lëvizjet në vende të këtij rajoni europian, madje edhe marrëveshja ushtarake me Qipron janë hapa të dukshëm që dëshmojnë se Rusia po kërkon të ndryshojë kufijtë e Europës dhe shtratojë zonat e influencës ruse, në funksion të një roli fuqie në Europë. Rusia e Putinit, me sa duket, nuk i njeh kufijtë e portat aktuale të Europës. Disa i thyen, disave po përpiqet t’u gjejë çelësin për të hyrë brenda. Europa ka shfaqur realisht një problem të drejtimit të saj, që po shfaqet më qartë në menaxhimin e krizës ukrainase dhe zhvillimet e shpejta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto zhvillime e kjo situatë e krijuar, kur nuk është mundësuar një politikë e jashtme e njehsuar si BE, nuk mund të mos prodhojë sfida të reja edhe në marrëdhëniet mes SHBA dhe BE.
Marrëdhënia mes SHBA dhe vendeve perëndimore ka evoluar pa ndërprerje, duke përfshirë edhe procesin e formësimit strukturor e të funksionimit të krijesës që njihet si BE. Natyrisht, që pasurimi i përmbajtjes së marrëdhënies mes SHBA dhe BE do të mbante parasysh, se as ishte një përputhje absolute interesash, por që përfshinte edhe diferencat mes tyre, në kushtet e funksionimit të BE, në elementë të veçantë, por që u dëshmua një qëndrueshmëri e bazamentit të marrëdhënies mes SHBA dhe BE. Fuqizimi që mundësoi bashkimi i vendeve të Europës Perëndimore nuk mund të mos i hapte rrugë edhe një ambicieje të BE për një rol konkret në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo do të dëshmonte se marrëdhënia mes SHBA dhe BE do të kishte përballë sfida konkrete në funksionimin e saj, aq më tepër që tashmë do të mungonte ai presioni konkret i përballjes mes dy sistemeve të kundërta. Evidentimi dhe studimi i këtyre sfidave është i mundshëm, sepse marrëdhënia mes SHBA dhe BE është dhe e hapur, por edhe e mbyllur si do marrëdhënieje. Kjo marrëdhënie ka definuar rrugët, format, standardet e bashkëpunimit, dialogimit, metodës së vendimmarrjes e të komunikimit. Kjo natyrë e saj nuk të pengon të dallosh problemet e sfidat përkatëse që ka përballë, sepse ajo marrëdhënie shfaqet përmes reagimit e veprimit konkret dhe bëhet kështu transparente. Natyrisht, që rëndësi të veçantë kanë njoftimet zyrtare dhe deklarimet publike të përfaqësuesve zyrtarë të tyre.
Pikërisht, për këtë arsye nuk mund të mos tërheqë vëmendjen një deklarim i bërë publik, i ambasadores së SHBA në OKB, S.Power, që i referohet direkt përmbajtjes së marrëdhënies mes SHBA dhe BE. Ambasadorja Power, në një dalje të fundit të saj, evidentoi një problem, jo pa u vënë re, në këtë marrëdhënie. Dhe nuk bëhet fjalë për diferenca në disa qëndrime të veçanta, por siç shprehet ajo, për “humnera të rrezikshme mes nesh dhe BE”. Në këto kushte, më e mira do të ishte që në këtë deklarim të kishte më shumë subjektivitet se sa objektivitet, më shumë shqetësim se sa probleme, më shumë thirrje e kërkesë për reflektim se sa një zhvillim negativ. Mund të jetë një shqetësim i drejtë amerikan për ushtrimin e zhvillimin e përgjegjësive ndaj çështjeve të sigurisë, stabilitetit e paqes në botë, përmes qëndrimit të bashkuar dhe fuqizimit të aleancës perëndimore, përmes rritjes së kontributeve nga gjithsecili.
Në fakt, analistë të ndryshëm kanë konstatuar, apo kanë evidentuar disa ndryshime apo distanca në vlerësime ngjarjesh, ushtrim të përgjegjësive apo të kontributeve në bashkëpunimin perëndimor. Megjithatë, deklarata e ambasadores amerikane është diçka tjetër. Ajo nuk bën supozime, por lë të kuptohet se ka lindur një kontradiktë reale, problem që mund të bëhet i mprehtë në të ardhmen mes SHBA dhe BE, teksa përdor konceptin humnerë dhe cilësorin të rrezikshme. Dhe ajo i referohet një problemi tepër serioz, siç janë shpenzimet në fushën e mbrojtjes, apo siç saktësoi ajo, me shkurtimin e buxheteve të mbrojtjes në Europë. Vendet anëtare të aleancës atlantike kanë miratuar bashkërisht vendimin që çdo shtet anëtar të shpenzojë 2% të prodhimit të brendshëm për mbrojtjen. Në vend që ky vendim të zbatohej, konstatohet që shpenzimet janë tkurrur. Nuk mund të shpjegohet kjo situatë thjesht me krizën aktuale të eurozonës dhe problemi bëhet më i mprehtë po të mbahet parasysh se fenomeni i tkurrjes ka ndodhur kur problemet e sigurisë dhe kërcënimet ndaj saj janë rritur, janë bërë më të mprehta. Kjo dukuri nuk mund të mos vërë në rrezik përballimin e objektivave të NATO-s, për mbrojtjen e vendeve anëtare, por edhe për përballimin e terrorizmit ndërkombëtar dhe fenomeneve që kërcënojnë sigurinë dhe paqen në botë. Siç nënvizon ambasadorja amerikane, “numri i misioneve që kërkojnë ushtri të avancuara për të kontribuar anë e mbanë botës, po ritet e nuk po tkurret”. Kriza në zhvillim e Ukrainës evidenton qartë shqetësimin amerikan, që mund të ndikojë edhe në definimin e një zgjidhjeje të drejtë dhe efektive.
Në fakt, jemi prezentë të shtimit të llojeve të kërcënimeve ndaj stabilitetit e sigurisë, si veprimtaria e ISIS, terrorizmi ndërkombëtar, emigracioni i paligjshëm në Europë e sidomos në Itali, që mund të bëhet urë kalimi për terroristë e ekstremistë të ndryshëm. Po kështu, vendet balltike, anëtare të BE e të NATO shprehin publikisht shqetësimet për kërcënimin e sigurisë së tyre nga Rusia. Me sa duket, vendet europiane janë në inercinë e periudhës së Luftës së Ftohtë 1, ku i gjithë Perëndimi përfaqësohej nga SHBA, që mbante realisht peshën dhe koston më të madhe politike, ekonomike e ushtarake në aleancë. Kjo me sa duket nuk e ka zhvilluar sa duhet dimensionin e të pasurit rol në përballimin e problemeve dhe konflikteve konkrete. Në fakt, një sinjal u dha në trajtimin dhe zgjidhjes së krizës së ish-Jugosllavisë, ku Europa u gjend disi e papërgatitur ta menaxhonte vetë krizën dhe të ndalte aventurizmin, shovinizmin e genocidin serb të udhëhequr nga Millosheviçi.
Është shfaqur vështirësia për t’u dakordësuar si BE, në vendimmarrje të rëndësishme, për shkak të dallimeve të qarta mes interesave të përbashkëta europiane dhe interesave të shteteve kombe. Tash kriza ukrainase ka vënë në vështirësi të madhe BE-në në menaxhimin e sidomos në zgjidhjen e drejtë të saj. Madje, duke mos pasur një politikë të unisuar të jashtme, BE është vënë në vështirësi të madhe edhe në përcaktimin e qëndrimeve, por edhe në zbatimin e vendimeve e masave të përcaktuara. Janë evidentuar edhe diferenca të dallueshme të BE me SHBA, përsa i përket mënyrës së zgjidhjes së konfliktit ukrainas, por edhe në përmbushjen e angazhimeve të marra në aleancë. Po evidentohen vështirësi e dallime mes SHBA dhe BE për të pasur dakordësi të plotë, vlerësime të njëjta për zhvillime e probleme konkrete dhe opsione të njëjta për mënyrën e zgjidhjes së problemeve në zhvillimet botërore. Pavarësisht nga këto, ajo që nuk mund të mohohet, është se cilësia e thelbi i marrëdhënies është i qëndrueshëm dhe identiteti perëndimor i marrëdhënies është i qartë e solid. Përmbajtja e marrëdhënies nuk mund të mos shfaqë diferenca e kontradikta. Marrëdhëniet presupozojnë edhe të përbashkëtat, por edhe dallimet; edhe unitetin, por edhe të kundërtat, dmth e formësojnë përmbajtjen dhe esencën e tyre me këtë shumëllojshmëri elementësh dhe probleme. Kjo natyrë kontradiktore përbën karakteristikën dalluese të çdo fenomeni të gjallë. Çështja është që të mos lejohen çarje të pakthyeshme në interesat themelore të aleancës perëndimore. Përmbajtja kontradiktore e bën të funksionojë marrëdhënien, të ketë impuls të brendshëm lëvizjeje e zhvillimi, e pasuron përmbajtjen dhe konsolidon cilësinë e saj.
Deri më sot e kemi parë marrëdhënien mes SHBA dhe Europës, apo përmbajtjen e atij që quhet Perëndim, nën këndin e unitetit, apo më shumë të unitetit, të qëndrimeve të përbashkëta, të unisuara në çdo aspekt, me vendimmarrje të dakordësuar plotësisht, natyrisht përmes diskutimit e debatit, pro dhe kundër. Kjo veçori u evidentua qartë në periudhën e përballjes mes dy sistemeve të kundërta e të papajtueshëm mes tyre. Edhe informacioni për përmbajtjen e mënyrën e funksionimit të këtyre sistemeve të kundërta ka qenë i kufizuar. Tash marrëdhënia mes SHBA dhe BE, e zhvilluar dhe e pasuruar në vlera e përmbajtje, edhe pse është solide, nuk i fsheh diferencat në aspekte të veçanta, të cilat i diskuton përmes standardesh e zhvillimit transparencës e të demokracisë së brendshme të aleancës perëndimore.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: