Nga kryesia e Kuvendit, kryeministri Edi Rama foli mbi draftin e sapo miratuar në Komisionin e Ligjeve të marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare.

I pyetur nga gazetarët se si e komentonte deklaratën e kryedemokratit Basha për prishjen e marrëveshjes, Rama e sfidoi duke thënë se ishte gati ta hiqte atë e të shkonte drejt depolitizimit të administratës zgjedhore.

“Cdo pikë e kërkuar nga PD do respektohet dhe sot është miratuar nga ana jonë, është pjesë e Kodit Zgjedhor. PD s’ka ekskluzivitet mbi Parlamentin që të thotë asgjë tjetër vec asaj që më pëlqen mua. Nëse Basha mendon që marrëveshja është hedhur në kosh dhe nëse ai vërtet nuk e do më marrëveshjen ka një mënyrë të thjeshtë që ta provojmë që ekziston, ta heqim! Të depolitizojmë administratën zgjedhore, të bëjmë dhe 2 apo 3 ndryshime që ne i donim ata nuk i donin.

Unë mendoj që do i bënim mirë vendit, do i bënim mirë zgjedhjeve. E kundërta është e vërtetë: Marrëveshja është aty dhe duhet të votohet nga opozita parlamentare e cila ka huqet e shtëpisë ku janë rritur, në PD, kuptohet edhe ata që vijnë nga kioskat afër shtëpisë”.

Rama u shpreh ndër të tjera: “Ne e shpërfillëm rekomandimin bazë të OSBE që është depolitizimi. Unë nuk pendohem për këtë, por faktet janë të rëndësishme. Të gjykohemi mbi produktin jo për fjalët apo mbi ne të lëmë gjykimet dhe të shikojmë faktet.

Kërcënimi nga ana e opozitës jashtë parlamentit nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon, por është në planin kombëtar një akt i dënueshëm dhe sigurisht dënimin e jep populli me votë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb