Ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka komentuar zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme, pas shpalljes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të mes Izraelit dhe Hamasit, e cila parashikon një ndërprerje të përkohshme të luftimeve dhe shkëmbim pengjesh.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Panariti e cilësoi marrëveshjen si një arritje e rëndësishme, pavarësisht sfidave që e presin në fazat e ardhshme.

“Paqja afatgjatë është një ambicie shumë e madhe që nuk ka funksionuar as në kohë më të mira mes palëve. Por kjo është një arritje, sepse çdo ndërprerje e luftimeve në terren që ka shkaktuar një masakër të vërtetë është diçka për t’u përshëndetur,” u shpreh Panariti.

Sipas tij, marrëveshja është në fazën e parë, që përfshin shkëmbimin e pengjeve me rreth 500 të burgosur palestinezë dhe 1,000 të tjerë të arrestuar gjatë luftimeve. Megjithatë, ai vuri në dukje se Hamasi ka rezerva, pasi shumë nga drejtuesit e tij kryesorë nuk përfshihen në këtë shkëmbim dhe mbeten të arrestuar.

Panariti paralajmëroi se vështirësitë reale do të shfaqen në fazën e dytë të marrëveshjes, që ka të bëjë me çarmatimin e Hamasit dhe administrimin e Gazës nga një qeveri teknokrate, diçka që mbetet shumë e vështirë për t’u realizuar në praktikë.

“Krahu i armatosur i Hamasit mbetet skeptik dhe kundër çarmatimit, ndaj nuk besoj se do kemi avancim të shpejtë në këtë drejtim,” tha ai.

Ai gjithashtu ngriti pikëpyetje mbi gatishmërinë e palëve për të pranuar një administrim të jashtëm në Gaza, duke theksuar se vendosja e një palë të tretë për të menaxhuar territorin e kontestuar është një hap delikat dhe potencialisht i paqëndrueshëm.

Pavarësisht sfidave, Panariti theksoi rëndësinë e ndalimit të dhunës, duke përmbyllur:

“Çdo ditë që kalon kur kemi ndërprerje të luftimeve është një ditë e fituar.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb