PRISHTINE – Procesi i shpërbërjes së “Mbrojtjes Civile” në veri të vendit tregon për mungesë të transparencës nga ana e Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të BE-së. Kështu u tha në konferencën e përbashkët rajonale të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me ç’rast u prezantua edhe publikimi i përgatitur nga BCSP dhe monitoruar nga QKSS me titull “E ardhmja e ‘Mbrojtjes Civile’ në pjesën veriore të Kosovës”.

Edita Tahiri, ministre pa portofol në Qeverinë e Kosovës, tha se institucionet e Kosovës dhe EULEX-i e njohin në detaje këtë proces dhe i njohin mirë të gjithë ata që kanë punuar në këtë strukturë paralele serbe në Kosovë, profesionet e tyre dhe, para se ata të vihen në listë, janë bërë vlerësimet e sigurisë nga ana e institucioneve tona.

“Numri që Serbia ka paraqitur 751, për ne ka qenë një numër i ekzagjeruar dhe pastaj, kur janë bërë analizat, është parë se ka prej tyre që janë para pensionit, një numër. Dhe një pjesë tjetër nuk janë fare qytetarë të Kosovës, por janë infiltruar në këtë strukturë dhe një pjesë e tretë nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë. Prandaj, në negociata dyvjeçare është arritur pajtimi për numrin që do të integrojmë. Fjala është për 383 pjesëtarë që do të integrohen, ku 50 prej tyre do të jenë përmes fondit të kontigjencës, ndërsa të tjerët do të integrohen apo punësohen në institucionet civile nacionale”, tha Tahiri.

Me fjalën “institucione civile nacionale”, ajo iu referua asaj se ata nuk do të jenë pjesë as institucioneve të sigurisë, pra as të Policisë e as të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Maja Bjelosh, hulumtuese nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, tha se marrëveshja që është arritur në Bruksel për “Mbrojtjen Civile”, edhe pse ka pasur për qëllim integrimin e saj në sistemin e Kosovës, nuk ka qenë aspak e saktë, pasi që, sipas saj, nuk përmendet askund emri saktësisht i “Mbrojtja Civile”, por përmenden vetëm “strukturat e tjera të sigurisë që duhet të integrohen”.

Hulumtimi, pos tjerash, ka gjetur se marrëveshja e arritur që pasqyron premtimin e Qeverisë së Kosovës për integrimin e 483 pjesëtarëve në institucionet publike të Kosovës, ende nuk është e qartë, pasi që nuk dihet se ku do të sistemohet pjesa më e madhe e tyre. Po ashtu, sipas gjetjeve të kësaj analize, nuk dihen kapacitetet financiare të Qeverisë së Kosovës për integrimin e këtyre pjesëtarëve. Isidora Stakiq, po ashtu hulumtuese në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, e pyetur për profilin e pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile”, tha se asnjëri nga ta nuk ka qenë ish-ushtar dhe asnjëri nga ta nuk ka pasur ndonjë trajnim në frymën ushtarake.

Ekipi hulumtues ka dhënë një varg rekomandimesh dhe alternativash në funksion të zbatimit sa më të shpejtë dhe më të mirë të marrëveshjes për “Mbrojtjen Civile”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: