Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha deklaroi se marrëveshja e detit me Greqinë do duhej të ishte zgjidhur mes dy vendeve.

E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Gjosha pohoi se publiku shqiptar është i paqartë për faktin se pse kjo çështje do të shkojë në Hagë, ndërsa parashtroi disa pyetje për kryeministrin Edi Rama.

Mes të tjerash Gjosha tha se pala greke është në avantazh në Gjykatën e Hagës.

 

“Për mua është me rëndësi se para se të vijmë tek marrëveshja, të kuptohet se çfarë ka ndodhur deri më tani për marrëveshjen e detit. Ka pasur pika që nuk është rënë dakord, ka pasur negociata? Për faktin se palët i drejtohen një pale ndërkombëtare. Ku qëndron problemi?! Çfarë i ka paraqitur pala shqiptare asaj greke? Problemi qëndron tek transparenca. Kjo është me rëndësi, për çdo qeveri që mban përgjegjësi për qytetarët. Është kthyer në çështje kulture të brendshme për mënyrën se si vepron qeveria për këto çështje. Mbetet pikëpyetje dhe sot dhe asnjëherë nuk është marrë një përgjigje nga qeveria. Për mendimin tim, ajo duhej të ishte zgjidhja e fundit. Qeveritë duhet të ishin të afta për të negociuar. Shqipëria duhet të jetë e mirë përgjigjur kur të ikim në Hagë, Duhet një grup që do të punojnë për këtë projekt. A e kemi një të tillë? Haga do të jetë e paanshme, s’do të mbajë anë. Por do të duhet të japë një vendim të paanshëm.

Këtu duke ditur kapacitetet që ne kemi, them se pala greke është në avantazh. Nuk ka asnjë informacion deri tani që flasim. Duke ditur mundësitë tona, për të paraqitur një projekt, këtu kam frikë se pala greke do të jetë një hap përpara. Shqipëria ka humbur shumë kohë në debate për marrëveshje të diskutuara me palën greke. Ka pasur brenda shumë nacionalizëm nga të dyja palët. Ka pasur momente urrejtje, tani shkojmë drejt një momenti dashurie. Ka pasur luhatje në marrëdhëniet mes dy vendeve. Palët do i duhej të shkonin drejt një marrëveshje. Këtu flas për palën shqiptare, s’flas dot për atë greke. Kjo marrëdhënie mes dy vendeve nuk shpëtohet duke e çuar çështjen në Hagë. Janë marrëdhënie që duhet të kenë një vazhdimësi dhe koherencë. Ndaj e përmenda se këto luhatje në këto marrëdhënie dhe sjellja e ndryshme e kryeministrit, ka krijuar këtë disbalancë”, tha Gjosha.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb