Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka publikuar një dokument –shkresë ku tregohen kërkesat për informacion të Presidentit Meta drejtuar kryesisht Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Jashtme lidhur me projektin e rrugës Vlorë-Orikum.

Sot Rama akuzoi Metën se po bllokon projektin, por në shkresën e Presidencës shkruhet se më 28 shtator të 2020 MFE i paraqiti kërkesën tek Presidenti për lëshimin e autorizimit për plotfuqi për nënshkrimin e marrëveshjes së Huasë mes qeverisë shqiptare e Fondit Saudit për Zhvillim pikërisht për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)” .

Disa ditë më vonë, më 6 tetor Presidenti i çoi një kërkesë MFE lidhur me etapat e këtij procesi, nga negocimi deri tek nënshkrimi i marrëveshjes. MFE u përgjigj më 15 tetor se nuk ka patur negociata pasi asnjë prej palëve s’ka pasur sugjerime e komente.

Presidenti kërkoi sërish më 27 tetor të 2020 informacion shtesë, por MFE më 2 nëntor ripërsërit se nuk është marrë autorizim për negocim pasi s’ka pasur negociata mes palëve.

Presidenca konstaton se Ministria e Financave ka pranuar hapur shkeljen duke cituar se nuk ka pasur negociata për këtë marrëveshje. Nga ana tjetër Këshilli i Ministrave ka miratuar një dokument që nuk ishte negociuar.

Nga ana tjetër Presidenca nxjerr një deklaratë të Ramës ku theksonte se ‘’ “[…] qysh nga fillimi i nëntorit presim plotfuqinë një autorizim të Presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me Fondin Saudit. Është bllokim total, sepse në momentin që nuk jepet plotfuqia ne nuk e materializojmë dot”.

Pas kësaj deklarate, institucioni i Presidencës deklaron se ky është një mashtrim i rëndë pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë që s’ka pasur negociata, kurse Rama citon se ka pasur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb