Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se marrëveshja e arritur e opozitës është historike.

Vasili theksoi se marrëveshja mes PD-së dhe LSI-së është historike, për shkak se për herë të parë, dy forca politike opozitare kanë qëndruar kaq gjatë në një konsistencë të jashtëzakonshme, kundër, asaj që e quajti “e keqja për vendin”.

Po ashtu, Vasili nënvizoi se opozita është pro asaj reforme në drejtësi të votuar në parlament, por kanë kritika për deformimet që pësoi më pas.

Petrit Vasili: Reforma në drejtësi ka marrë 140 vota, ku ka pasur vota edhe të PD-së, të PS-së dhe të LSI-së. Nuk ka ndryshim për çështjen. Ka pasur nga ne kritikë për gjithçka ka ndryshuar më pas. Ne i qëndrojmë reformës që votuam. Ne kemi qenë dhe jemi kundër ndryshimeve të caktuara, që janë në shkelje të Kushtetutës. Po bëjmë reformë në drejtësi që ngre cilësisht drejtësinë.

Erl Murati: Marrëveshja nuk është historike, por e quaj si konfirmim të angazhimit se pas 25 prillit do të qeverisim bashkë. PS tregohet ende forcë e parë dhe kjo është rrethanë specifike.

Petrit Vasili: Marrëveshja e opozitës është historike, sepse nuk ka ndodhur që 4 vjet të qëndrojnë bashkë dy parti opozitare.  Një parti e djathtë dhe e majtë që bëhen bashkë kundër së keqes, nuk ke të dytë. Ky është fronti i parë opozitar i tillë. Nuk është aspak rutinë. Ka programe serioze nga dy partitë, për çështje madhore. Dokumenti i nënshkruar është integral.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb