SHKUP

Athina vijon nga reagimet pas deklaratës së kryeministrit, Zoran Zaev se gjuha maqedonase duhet të mësohet edhe në shkollat në Greqi. Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos i tërhoqi vërejtjen Qeverisë së Shkupit të përmbahet nga të interpretuarit e Marrëveshjes së Prespës, veçanërisht nga fjalori irredentist.

“Nuk jemi të përgatitur para se të definohet dhe të ratifikohet, të pranojmë interpretime të Marrëveshjes së Prespës, që janë arbitrare dhe aq më tepër kur ato shprehin irredentizëm. Është e nevojshme që vendi fqinj të bëjë kujdes, sepse akoma asgjë nuk ka mbaruar. Do të them edhe një herë qartë, siç themi ne grekët, llogaritë e pastra bëjnë miq të mirë” – tha Prokopis Pavlopulos.

Zv/ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugallos tha se Neni 7 i Marrëveshjes së Prespës ia lejon IRJM-së ta quajë gjuhën e saj “gjuhë maqedonase”, por nuk e obligon Greqinë që ta pranojë këtë term. Sipas tij, IRJM poashtu pranon se gjuha e saj i takon grupit të gjuhëve sllavo-jugore dhe nuk ka lidhje me historinë antike të Greqisë Veriore. Për kreun e partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micotakis deklarata e Zaevit është skajshmërisht e papranueshme.

“Me njohjen e gjuhës dhe kombësisë maqedonase është hapur kutia e Pandorës dhe ka ngjallur pretendimet e papranueshme, skandaloze të Shkupit. Deklarata e Zaevit për ta mësuar gjuhën maqedonase në Greqi është e papranueshme. Kjo gjithsesi ishte e pritur, bazuar në përmbajtjen e marrëveshjes. Ekziston vetëm një rrugë për ta penguar zgjerimin e këtij dëmi nacional: Le të mos ratifikohet Marrëveshja e Prespës në Kuvendin grek” – theksoi Kyriakos Micotakis nga “Demokracia e Re”.

Televizioni grek, Skai madje raporton se ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic ka nderhyre tek kryeministri, Zoran Zaev dhe e ka porositur që t’i përmbahet marrëveshjes, raporton Alsat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb