Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se marrëveshja ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump  i duket problematike e jo historike, kurse shtoi se sjellja e kreut presidencial të SHBA-ve ishte poshtëruese.

“Unë do e cilësoja marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Uashington si marrëveshje problematike jo-historike. Diçka pozitive është se gjithsesi kthehet në skenë ky problem i pazgjidhur në Ballkan, angazhon më shumë aktorët ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje, por nga ana tjetër mendoj se edhe e komplikon kjo që ndodhi zgjidhjen.

Është kontradiktor edhe ky vlerësim. E para gjë kriitike iishte sjellja e presidentit amerikan Donald Trump, m’u duk sjellje poshtëruese do të thosha, harron se janë përfaqësues edhe dy popujve. Vendosja e Vuçiç si përpara bankës të të akuzuarve ka bërë xhiron e botës. Nuk e bëri vetëm me Hotin, por edhe me Vuçiçin. E dyta është instrumentalizimi, e gjitha nisi për ta përdorur për fushatën elektorale në SHBA. Me Trump në krye SHBA po kthehet tek mbreti absolut.

Po ashtu Trump m’u duk shumë serioz nga ana institucionale marrëveshja.  Edhe përmbajtja e marrëveshjes m’u duk problematike për Kosovën, kryesisht. Problematike është njohja e Kosovës nga Izraeli dhe dërgimi i ambasadave të tyre në Jeruzalem. Turqia reagoi menjëherë. Kjo gjë bën që të shtyjë vende të tjera që të të mos njohin. Është folur shumë nëse normalizimi i marrëdhënieve ekonomike mund të normalizojë edhe politikën. Mini-Shengeni ka  anën e vet pozitive, por duket se më shumë ekonomikisht fuqizon Serbinë dhe e bën Kosovën të varur nga Beogradi. Plus Kosova nuk dihet si do vendoset në këtë Mini-Shengen, si do jetë si pjesë e Serbisë, si vend, si, sepse Serbia nuk e njeh si shtet? Heqja e pikës për njohje të Kosovës nga Serbia është humbje.

Duket se marrëveshja është letër që kanë firmën dy liderët ballkanas dhe Trump duket se ka firmosur për diçka tjetër, mesa pashë unë. Grenell e fusin si arritje në politikën e jashtme. Grenelli shpejtoi të thotë se marrëveshja është shumë e rëndësishme. Futja e Izraelit në këtë marrëveshje ishte pak e pashpjegueshme, por ndoshta ka dashur të tërheqë lobin izraelit që jeton në Amerikë. Në Bruksel, flitet për statusin e minoritetit në Kosovë., edhe për çështjet për ekonominë, që kanë për pronësinë. Duken si çështje të zvarritura, pa arritur diçka substanciale në ndryshim”, vlerësoi Lubonja.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb