Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar dhe mbështetur marrëveshjen Kosovë- Serbi të nënshkruar të premten e kaluar në Uashington.
Thaçi falenderon SHBA-të duke theksuar se rikthimi i tyre në lidershipin e dialogut është tepër e rëndësishme.

Ai gjithashtu thekson se për një marrëveshje finale me njohje reciproke duhet patjetër mbështetja e SHBA.

Po ashtu Thaçi ka një falenderim personal për Donald Trump, Presidenti i SHBA që u angazhua vetë në nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë- Serbi. Ai zbulon se Trump ka një mendim tejet pozitiv për Kosovën duke e cilësuar si një vend të mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm.

”Mirënjohjen më të thellë për SHBA, që gjithmonë na kanë qëndruar pranë dhe na kanë përkrahur në çdo hap tonin për liri dhe demokraci. Duke nisur nga Bushi i vjetër që ka tërhequr vijën e kuqe me Serbinë për Kosovën. Me Clintonin që hoqi bombardimet e NATO-s për çliruar Kosovën. Me Bushin e ri për pavarësinë. Me Obamën e përkushtuar, dhe Trump që përkrahu themelimin e ushtrisë së Kosovës, dhe tani fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës.
Në të gjitha takimet që kam bërë me Trump, më ka folur për Kosovën si vend i mrekullueshëm. Javën e kaluar, ishte një konfirmim tjetër i këtij përkushtimi. Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për 2 vite, me administratën e Trump, përkushtim personal të Grenell, të premten formalizohen përpjekjet.
Ndërmarrja diplomatike më serioze e SHBA në 2 dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi, të vështirë, hasëm në akuza e konspiracione. Me formalizimin e marrëveshjes, këto u treguan të rrejshme, të paqëndrueshme e paragjykuese.
Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, projektet infrastrukturore, linjat ajrore, hekurudhore e autostrada kanë qenë prioritet. Si dhe personave të pagjetur dhe atyre të zhvendosur për t’i rikthyer në banesat e tyre.
Dëshmia më e mirë është dhe zotimi dhe veprimi i Kosovës në luftë kundër terrorizmit global. Synimi përfundimtar është paqja dhe stabiliteti në rajon. Të nderuar qytetarë, në këtë rast shpreh konsideratën më të lartë për Trump.
Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është kthimi në lidership i SHBA në dialogun Kosovë- Serbi. Kosova po bën dialog prej vitesh me Serbinë. Kemi qenë të përkushtuar dhe të zotuar për një marrëveshje finale për paqe, për njohje të ndërsjelltë. Që kjo të arrihet duhet mbështetje ndërkombëtare, dhe këtë e ofron Uashingtoni. Dhe unitet efikas i skenës politike kosovare. Kosova duhet të vazhdojë të punojë që të konsolidohet. Kam besim të plotë se kështu do vazhdojmë. Kjo miqësi dhe ky besim do të jetë i përhershëm. ”- tha Thaçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb