Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një intervistë të dhënë për gazetarin Osman Stafa në “News 24”, ka treguar arsyet se përse zgjodhi që të krijonin një koalicion me Sali Berishën. Kryemadhi ka theksuar se LSI në këto zgjedhje nuk ka një objektiv politik, por synon që të rikthejë demokracinë.

Sipas saj, LSI dhe PD kanë pasur një koalicion deri më 25 prill, koalicion ky që u kris nga deklaratat dhe sulmet e lidershipit të Partisë Demokratike.

“Kishim disa primare të PD që përfshinë anëtarësinë e PD, nuk e mohojmë dot. Kishte një fluks të madh pjesëmarrësish. Ka pasur një demokratizim të brendshëm të një strukture. Sot qytetarët kanë nevojë t’i rikthehen institucionit të demokracisë. Zgjedhjet e 6 marsit, janë një element që ne si front opozitar bllokuam zgjedhjet e lira, duke djegur mandatet. Ne duhet t’i japim mundësi qytetarëve për të vendosur me votë. Zgjedhjet e 6 marsit për LSI nuk kanë rëndësi politike dhe elektorate. Shtëpia e Lirisë është një koalicion i përkohshëm, vetëm për këto zgjedhje. Kështu që ishte një angazhim teknik, për të krijuar mundësinë e garimit të kandidatëve.

Është koha dhe momenti që të gjithë qytetarët të votojnë për ata që i përfaqëson denjësisht. LSI ka pasur një koalicion me PD deri më 25 prill, për të cilin nuk i qëndroi lidershipi i saj deri në fund, madje dhe na sulmuan. Kjo tregon më së qarti strategjinë që ka qenë për të lënë në pushtet Ramën dhe Rilindjen dhe për të qenë pengu i kësaj. Secili nga ne duhet të fillojë transformimin në PD. Nëse rinia nuk sfidon Monikën në seli sa i përket vendimmarrjeve, ne nuk do të kemi demokraci. PS nuk bën zgjedhje, ka vetëm një lider që emëron dhe shkarkon”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb