TIRANE- Ish ministri i Financave, deputet i Partisë Socialiste, Shkëlqim Cani ftoi deputet në seancën plenare të se enjtes të votojnë ndryshimet në marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të sjella në formën e një projektligji, duke argumentuar se nuk ka efekte negative për buxhetin. “Nëpërmjet këtij projektligji synohet miratimi i ndryshimit të termave të huamarrjes që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka akorduar Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF). Objektivi i propozimit të këtij projektligji është dhënia e formës së duhur ligjore ndryshimit të termave të kredisë së mësipërme të akorduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në mënyrë që Republika e Shqipërisë të jetë në gjendje të përfitojë nga ndryshimi i këtyre tarifave të përmirësuara”, tha Cani.

Sipas tij, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në 2014-ën në shumë 295 .4 milionë SDR janë dhënë deri tani 7 transhme prej 139.3 SDR. “Themeli i këtij p/ligji është një ndryshim që bën vet FMN në kushtet e punës së kredisë që ajo ju jep vendeve si] është edhe rasti i vendit tonë. Marrëveshja nuk ka efekt negativ në realizimin e saj.”, tha Cani. Ai shprehu besimin se prej saj mund të shohim vetëm efekte pozitive shumë shpejt.

Bashkëpunimi me FMN-në ka ardhur si pasojë e mbështetjes së siguruar për programin për rimëkëmbjen e ekonomisë, duke ruajtur në të njëjtën kohë ekuilibrat makroekonomik, me synimin që kjo rimëkëmbje të ishte e qëndrueshme. Ai u bazua mbi një program të qartë reformash e politikash të duhura ekonomike me synim rikthimin në një kohë sa më të shpejtë të ekonomisë në ritme të larta e të qëndrueshme.

Ky propozim për miratimin e ndryshimit të termave vjen si pasojë e adoptimit nga ana e FMN-së të një politike të re të tarifimit duke filluar nga data 17 shkurt 2016. Në rastin e Shqipërisë, duke qenë se ndërkohë ka hyrë në fuqi edhe rritja e kuotave të Shqipërisë, ratifikuar me ligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar”, ky ndryshim i termave nga ana e FMN-së ka impakt pozitiv.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: