Listë Serbe ka filluar konsultimet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, për hapat e mëtejshëm sa i takon marrëveshjes me Kosovën. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se institucionet e Kosovës po tregohen pasive karshi sulmeve të fundit ndaj serbëve në të gjithë territorin e vendit.

“Sulmet e fundit ndaj serbëve dhe pronave të tyre në territorin e Kosovës, edhe ndaj fëmijëve dhe grave, pasiviteti i institucioneve të Kosovës, mosndëshkimi i krimit dhe sjellja injoruese ndaj tyre, na kanë shtyrë që të fillojmë konsultimet me shtetin tonë dhe me presidentin Vuçiç”, është shprehur Rakiç. Rakiç përmendi edhe deklaratat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Kosovë si një arsye tjetër se pse kjo Listë duhet të konsultohet edhe me Beogradin.

“Deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, papërgjegjshmëritë e tyre për ndërprerjen e procesit të kthimit të serbëve në Kosovë, mosimplementimi i marrëveshjeve, kërkojnë që ne si përfaqësues legjitimë të serbëve të Kosovës, të konsultohemi me Serbinë dhe presidentin”, u shpreh Rakiç. Lista Serbe ka paraqitur tërheqjen nga koalicioni qeverisës qysh pas arrestimit të Marko Gjuriçit në Kosovë, ani pse kjo Listë po vazhdon të mbajë postet ministrore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: