Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dhe qeveria e tij i mbijetuan votës së mosbesimit të mërkurën. Një gjë e tillë i hap rrugë Parlamentit grek që të ratifikojë marrëveshjen me Maqedoninë për emrin e kësaj të fundit.

Tsipras mori mbështetjen e 151 ligjvënësve në parlamentin prej 300 vendesh, duke e shmangur kështu thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ai e thirri votimin në parlament të dielën, pasi partneri i tij i koalicionit, Panos Kammenos dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj marrëveshjes.

Me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar, Maqedonia është bërë Maqedoni e Veriut. Krahu i djathtë në Greqi e ka kundërshtuar këtë zgjidhje, duke thënë se fjala Maqedoni në emrin e fqinjit sugjeron se ky i fundit ka pretendime territoriale ndaj një territori grek me të njëjtin emër.

Çështja e emrit i ka mbajtur dy vendet në mosmarrëveshje për dhjetëra vite. Javën e kaluar, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb