Kryetari i Partisë Republikane në takimin me përfaqësues të Këshillit Politik të PR diskutoi me ta propozimet e Partisë Republikane drejtuar Partisë Demokratike për mënyrën se si duhet të veprojë dhe regjistrohet ky koalicion i opozitës.

Ai tha se nisur nga kërkesat e Kodit dhe vlera që duhet të krijojë opozita “Mendoj se: Kualicioni opozitar nuk është thjeshtë një përfshirje e partive politike dhe Partia Demokratike, por është një koalicion, ku qendra e këtij koalicioni është Partia Demokratike por të gjithë elementët e tjerë, partitë politike dhe individët që garojnë apo do të marrin pjesë në fushatë, kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, sidomos duke pasur në konsideratë faktin se kemi të bëjmë me një regjim të korruptuar, lidhur me krimin, korrupsionin, me një administratë politikisht tërësisht të kontrolluar dhe një tendëncë të vazhdueshme të Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet.

Është shumë e rëndësishme që koalicioni të përfshijë logot e të gjithë partive përkatëse, me një emër koalicioni të caktuar dhe po ashtu, edhe peshën e partive politike në të gjitha qarqet dhe rajonet. Neglizhimi i peshës së partive politike apo strukturave të tyre organizative dhe elektorale, mendoj që është në dëm të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por edhe të suksesit elektoral, dhe po ashtu mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky koalicion, jo vetëm koalicioni rreth Partisë Demokratike, por dhe koalicioni me LSI-në, duhet të jetë një koalicion i cili qartësisht të ketë një platformë të qartë pro europiane, pro interesit kombëtar, në shërbim të punësimit, ndërtimit të institucioneve, zhvillimit normal të demokracisë, problemeve që na shoqërojnë sot, sidomos problemi i pandemisë dhe zgjidhjen sa më shpejtë të saj, e cila duhet të jetë si platformë, një platformë që orienton programi, qëllimet tona të përbashkëta.

Momenti i nënshkrimit të një koalicioni nuk është thjesht një akt i përcjelljes së një dokumenti pranë KQZ-së, por përcakton dhe raportin politik dhe raportin elektoral. Nisur mbi këtë ne kemi bërë propozimet tona pranë Partisë Demokratike.

Dua ta ritheksoj; Partia Republikane nuk i ka kërkuar asnjë gjë Partisë Demokratike, por ka kërkuar vlerësimin e peshës elektorale të Partisë Republikane dhe kemi kërkuar që të kontribuojmë me kandidatët apo me strukturat tona, në mënyrë që deputetët, që mendoj janë deputetë të koalicionit dhe jo deputetë të njërës apo tjetërs parti, por të koalicionit opozitar, të gëzojnë mbështetjen në cdo qendër votimi të Partisë Republikane.

Ky koalicion që do të nënshkruhet sot për t`u përcjellë në KQZ për t`i dhënë autoritetin e drejtimit të opozitës partisë kryesore të koalicionit sic e kërkon ligji si element i parë, duhet të përfshijnë elementin e dytë, në mënyrë të plotë, sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor edhe në c`lloj principi ndërtohet ky koalicion.

Principi i parë, kriteri i parë është pesha elektorale e partive politike në nivel kombëtar dhe në qarqe, duke ju referuar zgjedhjeve të cilat padyshim tregojnë peshën dhe relevancën e cdo partie, në mënyrën se si ka kandiduar më vete gjatë gjithë këtyre viteve.

E dyta po ashtu mendoj është që duhet të respektojmë ato marrëveshje që kemi pasur më parë dhe partitë e koalicionit kanë pasur një marrëveshje në momentin që kur kanë dalë nga parlamenti.

E treta që është po ashtu shumë e rëndësishme në gjykimin tonë, është në mënyrë të padiskutueshme, që kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës partie politike i përkasin, sipas marrëveshjes që dorëzohet në KQZ, janë kandidatë të koalicionit. Pra nuk ka kandidatë të njërës parti, kandidatë të një partie tjetër e kështu me radhë, sepse kjo do të krijonte një lloj disintegrimi të fushtës elektorale.

E kam thënë dhe e përsëris që Edi Rama ka deformuar boshtin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe këtë nuk e ka bërë pa qëllim. Qëllimi i vetëm i Edi Ramës është pushteti dhe përdorimi i pushtetit për interesa korruptive dhe kriminale, por duhet të kuptojmë që këto interesa korruptive dhe kriminale janë futur shumë thellë në nivel qëndror dhe lokal, të administratës qëndrore dhe lokale dhe ndeshja me to nuk është e lehtë. Është një ndeshje e vështirë dhe e vetmja mënyrë për t`u ndeshur dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe sukses në datën 25 prill, kam bindjen që është organizimi i punës në cdo qendër votimi, me të gjithë përfaqësuesit e partive politike të opozitës, për t`i identifikuar votuesit, për të bërë të mundur që ata të votojnë dhe garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe po ashtu është që kandidatët e opozitës duhet të organizojnë strukturat elektorale jo vetëm me partinë politike që i përkasin, por në një koordinim të të gjitha vlerave njerëzore dhe politike të partive përkatëse të koalicionit”,- tha Mediu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: