Akademiku Artan Fuga ka analizuar tezën e radhës që është hedhur nga kryeministri Rama për të zgjidhur çështjen e detit me Greqinë nëpërmjet marrëveshjes.

Në Athinë Rama ligjëroi që këtë duhet ta zgjidhë një palë e tretë, me shumë mundësi një gjykatë ndërkombëtare si Gjykata e Arbitrazhit kompetente për këto çëshjte.

Por Fuga thotë se kjo nuk është faza e parë e një marrëveshjeje, pasi në Gjykatë shkojnë ata që ‘divorcohen’. Ai ndër të tjera thotë se Shqipëria nuk është Azerbajxhani që ka toka pa fund dhe nuk i duhen 12 milje më shumë apo më pak, pasi bregu shqiptar shto dhe 12 miljet e Greqisë duket si ngushticë e ngushtë në det të hapur.

Dhe madje Fuga shtron pyetjen se para se çështja të kalojë në Arbitrazh, a e ka Kushtetuta shqiptare që për sovranitetin e territorit bëhet sikur ndahet e divorcohet një çift e pasuria ndahet ke noteri?

 

STATUSI NGA ARTAN FUGA

Peshq grekë dhe peshq shqiptarë!

Cështja e detit të Vlorë – Sarandës, Jonit, pra, ka tërhequr edhe vëmendjen e krijuesve të rinj. Klevis Mehaj në kuadrin e projektit TikTok corruption Albania, që kryhet nga MediaLook Albania me mbështetjen e Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, na tregon me një gjetje të bukur peshën e madhe të kësaj çështjeje.

Greqia mund të ketë të drejtën të zgjerojë hapësirën detare në 12 milje, sigurisht, hallall i qoftë, por ne duhet të këndojmë të drejtën e saj apo të thurrim hymne që këtë të drejtë prej 12 miljesh e kemi edhe ne?

Edhe sikur mos kemi të drejtë si peshq që jemi! Nuk kam parë deri më sot që një shtet t’i thotë tjetrit : Ke të drejtë të marrësh llokmën që deritani nuk ishte as jotja as timja. Ne sikur jemi Azerbajzhani me toka pa fund dhe nuk na ha qederi për 12 milje më shumë a më pak!

Se në hartë pasi Greqia merr 12 miljet e veta, bregu shqiptar duket si “rrugicat që kërkonin diell”, një ngushticë e shtrembër në det të hapur, kështu ne në histori, ne trimat, në tokë na kanë zbythur deri në breg të detit, na kanë hedhur në det, në det na kanë nxjerrë në breg si peshq të ngordhur nga zbatica, ngelur në të thatë.

Se poqe ashtu në bashkëpunim me Turqinë hajde hedhim beton diku andej nga mesi i detit, krijojmë një copë tokë atje, dhe që andej hajde kërkojmë 12 milje për të vajtur më tutje. Pastaj në cepin e atyre 12 miljeve derdhim beton me hekur Kurum përsëri dhe dalim në Palermo, që andej me këtë metodë shkojmë deri në Algjeri dhe i themi mbretit të Marokut : Mirëmëngjes Lartmadhëri!

Në tokë na thonë se Serbia ka të drejtë të shkëmbejë toka dhe ne na hedhin në det, në det na thonë se Greqia ka të drejtë të marri ujra dhe na shtyjne në tokë. Nuk dimë ku të fusim kokën!

Greqia me nene formale ka të drejtë të zgjerohet 12 milje mbase nuk e kundërshtoj, por tjetër e drejta eformale dhe tjetër e drejta e faktit. Sepse edhe Qenan K. më thoshte një ditë ka të drejtën e punës sipas diplomës, por faktikisht është thjesht berber. Nga e drejta formale te aplikimi i së drejtës, ka një det të tërë që ndan!

Ne kemi hallin e detit, këta thonë ligji i luftës!!! Te vjen t’ja plasësh gazit nga zhvendosja semantike e axhendës të debatit dhe shqetësimit popullor. Kush do të bëjë luftë me ligjin e Luftës të kohës të Termopileve!!! Mos na trembni me ndëshkimin e Zotit kur halli është se kush po merr kumbullat e komshiut.

E thotë mirë Klevisi në videon e tij. Nuk është thjesht çështje lufte, është çështje paqeje. Peshqit shqiptarë në det po bëhen gati të ndahen nga gratë e tyre peshq greke, po ndahen familje peshqish, po ndahet gazi në det, molusqet, midhjet, gjithë ajo pasuri që pas njëqind vjetësh stërnipipërit e Skënderbeut do të thonë për ne : As sa peshqit nuk ishin të zotët ata trupeshqit e asaj kohe!

Se në Gjykatë arbitrazhi shkohet, por a e ka Kushtetuta shqiptare që për sovranitetin e territorit bëhet sikur ndahet e divorcohet një çift e pasuria ndahet ke noteri? Kush ja jep të drejtën që çështjet sovrane të zgjidhen kështu kaq kollaj me arbitrazh?

Menjëherë te gjyqi nuk duhet shkuar. Të paktën të bëjmë si te filmat surrogato kur burri që ka të dashur i thotë gruas hajde shkojmë në gjykatë që të divorcohemi. Por, gruaja, kopile, i thotë : ik ore nuk ta jap divorcin! Dhe rrinë ashtu!

Gjykata është një fazë tjetër, jo e para, në gjykatë të shkojë ai që kërkon divorcin, ai që do të ndajë, jo ti, jo ne, mor burrë, ne nuk kemi as përse themi se do shkojmë as nuk deklarojmë ne që hajde shkojmë në Gjykatë. Ne themi që nuk ka nevojë, gjërat janë në rregull. Cfarë kuptimi ka që deklarojmë se shkojmë në gjykatë ne kur po ashtu deklarojmë se peshqit grekë kanë të drejtë 12 milje kundërdrejt peshqëve shqiptarë!!!

Edeh paret e gjyqit t’i paguajë ai që do të nisi gjyqin!

Gjykata na kap për fjale si kapen peshqit me grep dhe na thotë: O peshq çfarë vini këtu, ju e keni njohur të drejtën për peshqit grekë të vijnë t’ju hanë midhjet tuaja!

Jo për gjë por jemi edhe peshq miq! Prishemi ne si peshq për pak ujë me kripë?

Ne shohim thjesht ligjin e Luftës!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb