KOSOVA

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla thotë se epoka e nënshtrimit ka mbaruar me marrëveshjen e fundit në Bruksel.

Zveçla thotë se qeveria e Serbisë për 13 ditë nuk arriti dot ta zbrapsë Kosovën teksa kjo e fundit bëri dhe një hap para duke tërhequr Njësitë Speciale në bashkëpunim me aleatët pas tërheqjes së barrikadave.

Ai garanton se mesazhin e kanë kuptuar tashmë dhe Brulseli me Beogradin dhe krimi e korrupsioni do të luftohet në çdo cep të Kosovës.

 

STATUSI NGA XHELAL ZVEÇLA

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator për të vazhduar me 4 tetor!

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator, dhe u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.

Përderisa Republika e Kosovës tregoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, Serbia përgjatë 13 ditëve përdori të gjitha mjetet, përfshirë dhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokal, shantazhit e sulmeve terroriste në institucionet publike.

Por, as kjo ndërmarrje kriminale e sponzorizuar nga qeveria e Serbisë nuk arriti të zbrapsë Kosovën dhe njësitë tona speciale nga zbatimi i vendimit legjitim.

Megjithatë, Kosova bëri dhe një hap para. Mbi parimin e reciprocitetit vendosi që të bashkëpunojë me aleatët tanë dhe pas tërheqjes së barrikadave, të largojë Njësitë Speciale por në bashkëpunim me KFOR-in të sigurojë Policinë Kufitare dhe mbrojë dhe më tutje kufirin me Serbinë.

Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Boegradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion.

Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses.

Faleminderit pafundësisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb