Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ai është shprehur se nga data 4 tetor, secilës tabelë të automjeteve të Serbisë do t’i mbulohet shenja shtetërore.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, tha se nuk ka tabela më të mira ose më të këqija të Serbisë.

“Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë. Republika e Serbisë nuk po e njeh Republikën e Kosovës. As Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë. Pra, nevojitet njohje reciproke”-thekson ministri Sveçla.

Po ashtu, ministri ka bërë të ditur edhe numrin e targave të përkohshme që janë lëshuar nëpër të gjitha pikat kufitare nga 20 shtatori.

“Që nga data 20 shtator është duke u zbatuar vendimi për pajisje me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë, e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Mbi 12.100 targa janë lëshuar qysh atëherë, dhe asnjë incident nuk ka ndodhur”, shkruan Sveçla.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel lidhur me reciprocitetin për targa. Këtë e ka bërë të ditur, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb