Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 foli mbi konferencën e mbajtur ditën e sotme nga krerët e opozitës Meta dhe Berisha, ndërsa deklaroi se marrëveshja mes tyre ishte një finalizim i disa muajve intensivë për nxjerrjen e një opozite ballore dhe të drejtpërdrejtë.

Vasili shtoi se thelbi i marrëveshjes qëndron te disa faktorë si rikthimi i referendumit për qytetarët shqiptarë dhe nxjerrja e një kandidati të përbashkët nga opozita për zgjedhjet e ardhshme. Më tej Vasili deklaroi se kandidatët e opozitës që do  dalin në primare nuk do jenë ‘fosile të ngarkuar me akuza’ por sipas tij janë një kandidat më cilësor se tjetri.

Sakaq, Vasili zgjodhi të fliste dhe për protestën e 12 nëntorit të paralajmëruar nga opozita ku nuk dha shumë detaje përveç se deklaroi se do të ketë një pjesëmarrje masive ku do të jepet një mesazh i fortë ndaj qeverisë.

“Marrëveshja ishte një finalizim logjik i disa muajve ku një konsolidim i përbashkët mes PD dhe PL të një profili të ri, një opozite ballre dhe të drejtpërdrejtë me objektivin e qartë për të fituar jo vetëm zgjedhjet por për të përmbysur një regjim. Muajt e fundit ishin shumë intensivë dhe më së fundi është konfigurimi në sytë e publikut. Është një kartë e fortë parimesh të shëndosha. Në radhë të parë kemi rikthimin e referendumit për qytetarët dhe parimin e zbatimit të primareve. Njerëzit vendosin, nuk është më monopoli i personit. Shqipëria është viktimë e një palë duarve që shtypin çdo të drejtë.

Do dalim me kandidatë të përbashkët, pa ekuivok, procesi i primareve është procsi më i shëndetshëm. Të gjithë janë të përqëndruar për të mbështetur një kandidat që përfaqëson interesat më të mira të opozitës dhe inspiron të tjerët ta mbështesin. Është një gjë që prodhohet nga një masë e madhe njerëzish që votojnë.

Kur ka marrëveshje kaq të mëdha, historike gjithmonë përpiqen këto portalet qeveritare të prodhojnë lajme të rreme për të zbehur qëllimin e marrëveshjes. Jam një nga 4 personat me të cilët u diskutua marrëveshja së bashku e Metën, Berishën e Nokën. Kandidaturat për këshillat bashkiakë do jenë të përzgjedhura, jo vetëm të drejtojnë por të garantojnë llogaridhënien. Ju sot nuk mbani dot mend një kryetar të këshillit bashkiak të Tiranës, nuk i kemi dëgjuar kurrë.

Dhënia e mundësisë për qytetarët që t’i drejtohen këshillave bashkiake do të mundësohet dhe procesi shumë i madh i zbardhjes së dosjeve të korrupsionit nga kryetarët e bashkive dhe këshillat e tyre. Do të punojmë për profile të larta politike në çdo këshill bashkiak. Mund të flas me siguri të plotë për këtë. 2 pika të marrëveshjes ka të bëjë me llogaridhënien e këshillit bashkiak. Ky proces po administrohet kryesisht nga PD, e cila ka meritën për përfshirjen  këtij principi shumë europianizues që largon pushtetin e kreytarokracisë.

Emrat janë shpalosur në publik, Berisha dhe e konfirmoi dëshirën e Këlliçit për të kandiduar por emri përfundimtar do dalë nga primaret. Këta emra janë një kandidaturë më e mirë se tjetra, ky proces nuk na solli fosile të ngarkuara me akuza dhe një Tirane të zënë për gryke dhe të shpartalluar sjellë nga Erion Veliaj ka një përgjigjje të opozitës vërtetë dinjitoze.

Referendumi nuk është i vështirë, pse duhet të jetë i vështirë. Kemi një traditë, e kemi aplikuar në fillimet e demokracisë referendumin. Berisha e ka aplikuar që atëherë edhe pse nuk ka fituar, me referendum e kemi miratuar kushtetutën e vendit. Politika ka ndjerë rrezikshmërinë e tij dhe ka tentuar ta zhdukë. Duke qenë së bashku me PD, sfida është plotësisht e fitueshme, kjo është detyra jonë pastaj është në hapsirën e gjithkujt për ta aplikuar atë. Do kemi dy lloje referendumesh, për çështje madhore dhe ato më të vogla ne komunitete.

Zgjedhjet janë shumë afër, primaret janë objektiv imediat, është që sot. Referendumi po punohet, nuk është i lidhur detyrimisht me zgjedhjet lokale, do bëjmë të pamundurën për realizimin sa më herët. Po u vendos diçka nga shqiptarët ajo do zbatohet. Themelore është që 2 forcat kryesore politike kanë kuptim për nismat që do ndërmerren. Nuk besoj do kemi kundërshtarë as në shoqërinë civile apo në media.

Marrëveshja e fundit mes palëve nuk ka pasur asnjë përplasje dhe pabesi, thjesht koha e imponoi. Objektivi themelor i integrimit ndodhi, ishte 4 vjeçare për këtë gjë, në fundin e se cilës mbyllëm një marrëveshje politike siç ishte caktuar dhe u ndamë pa asnjë lloj konflikti. Lidhëm një marrëveshje në 2013 se PS kishte një përfaqësim të rëndësishëm, nuk kam besuar ndodnjëherë te ajo marrëveshje, kam qenë i bindur që Rama nuk mund të jetë i ndershëm kurrë në marrëveshje. Kryetari i bashkisë që ka pasur Lulzim Basha erdhi si produkt i asaj marrëveshjeje, i cili nuk do merrte bashkinë pa ndihmën e partisë tonë. Berisha dhe Meta kanë qenë marrrëveshje e dy burrave të fortë politikë që dinë të ndajnë interesat politikë

Në protestën e parë ju them vetëm kaq, do jetë me masivitet të pabesueshëm, nuk mund të jap detaje për organizimin por do ketë një pjesëmarrje tejet të madhe. Në ditët në vijim do ketë dhe detaje të tjera”, u shpreh Vasili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: