Kryeredaktori i ‘Albanian Post’ Lirim Mehmetaj përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në emisionin” Open” ka folur në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ka thënë se Beogradi kërkon Asociacionin për të pasur një levë destabilizimi për Kosovën.

Sipas tij marrëveshje për vetëmenaxhimin e pakicave ka të njëjtën përmbajtje me Asociacionin dhe se kjo do kishte të njëjtat pasoja për vendin.

Nga ana tjetër ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo ka deklaruar se Kosova është e detyruar të respektojë vendimet e marra më parë, teksa shtoi se do ketë ndryshime mes dy marrëveshjeve pasi në këtë mes nuk vendos më Serbia.

Megjithatë Mehmetaj deklaroi se vendimi nuk do diskutohet në Kuvendin e Kosovës me arsyetimin se është miratuar para 10 vitesh dhe se ka të njëjtën substancë me marrëveshjen e para një dekade, gjë që sipas Milos qëndron nëse do jetë e njëjta përmbajtje, por jo nëse do ketë ndryshime.

Mehmetaj: Serbia e kërkon asociacionin si një levë destabilizimi për Kosovën, e kërkon që të jetë brenda Kosovës dhe të destabiliziojë vendin. Vetëmenaxhimi është i njëjte me Asociacionin, është e njëjta marrëveshje e mëparshme. Është e njëjta, ata fitojnë autonomi në disa fusha. Në Evropë ka shembuj të tillë, por jo si Serbia që e njeh Kosovën shtet të pavarur, ajo do qëndronte.

Milo: E dimë nga e drejta ndërkombëtare që çdo qeveri dhe çdo shtet ka për detyrë të respektojë vendimet e marra më parë. Kosova nuk mund të bëjë ndryshe, nuk e lejon njeri. Zotëria thotë që nuk ka ndryshim nga marrëveshjet e mëparshme, unë them që do ketë ndryshime në frymë dhe në gërmë. Këtu do qëndroje dhe kompromisi, nuk mund të kemi riprodhim të një dokumenti të bërë para 10 vitesh në rrethana të reja. Do ketë një kompromis dhe shtrihet në dy aspekte. Nuk besoj që Kosova të mos ketë luftuar për të mos pasur ndryshime në dokumente. Besoj se ai do jetë dokumenti që do ketë vlerën e dokumentit detyrues për vetëmenaxhimin. Serbia është jashtë kësaj, dokumenti do miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Duhet të shkojë patjetër në Kuvend dhe do votohet.

Mehmetaj: Nuk do diskutohet fare vendimi. Me lojë fjalësh nuk e kanë konfirmuar se do votohet në Kuvend, do doja të ishte si e thatë ju, por nuk është. Meqë ka shkuar në vitin 2013 dhe është votuar thonë që nuk ka pse votohet sërish.

Milo: Nëse është e njëjta qëndron, por nëse nuk është dhe shpresoj të mos jetë nuk ka pse të mos diskutohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb