(Ne brendësi drafti me 4 pika i propozuar nga Kukan)
TIRANE- Ndërsa negociatat vazhdojnë, burime brenda maxhorancës dhe opozitës, thonë se dy pika kryesore e mbajnë PD jashtë parlamentit. E para ka të bëjë me projektligjin për dekriminalizimin e parlamentit. Kryeministri ka kërkuar që projektligji që do të hartohet nga opozita, përpara miratimit të shkojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias, për të shmangur nene që mund të konsiderohen abuzive dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

E dyta, çështje në diskutim lidhet me bojkotin ku duket se është kërkuar që opozita të angazhohet për një qëndrim afatgjatë në sallën e parlamentit. Mësohet se për këto dy çështje po negociohet mbi dy dokumente, njëra në formën e marrëveshjes dhe tjetra në formën e rezolutës. Me zgjidhjen e këtyre dy pikave gjatë dy ditëve të ardhshme, mund të realizohet fundi i bojkotit të opozitës.

Top Channel zbuloi draftin që propozhet nga negociotarët europianë dhe që përmban 4 pika.

Pika e parë ka të bëjë me mospërdorimin e shumicës së cilësuar nga mazhoranca për çështje të rëndësishme.“Opozita kthehet në Parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmangur bojkotit të Parlamentit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”, thuhet në draft/marrëveshje.

Pika e dytë ka të bëjë me gatishmërinë për respektimin e shtetit ligjor. “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të anagazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Pika e tretë është ajo më delikatja dhe që opozita e ka këkruar me forcë këto muaj bojkoti, atë që e quan dekriminalizim të Parlamentit.

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisonit të Venecias”.

Pika e katërt ka të bëjë me rolin e Parlamentit në këtë marrëveshje, kur thuhet se, “përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb