Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume mendon se ulja e opozitës dhe maxhorancës në tryezë për reformën zgjedhore është për t’u përshëndetur. Ai tha në “Real Story” në News24 se ajo që ka ndodhur sot krijon kushtin e nevojshëm por jo të mjaftueshëm për të realizuar diçka për atë që duhet bërë në legjislacionin zgjedhor.

Kume kujton platformën dhe rrugën e parashtruar nga ai vetë e disa kolegë për daljen nga kriza, disa muaj më parë dhe mendon se është pikërisht ajo që ka ndodhur por me ndryshimin e madh se është përjashtuar shoqëria civile.

Pse arritën palët të binin dakord sot? Sipas tij të dy palët kanë lëshuar për shkak të presionit që iu është bërë.
“Në vlerësimin tim të dy palët kanë lëshuar dhe kanë lëshuar si rezultat i presionit që iu është bërë. Kujtoj kur ndër të tjera kemi diskutuar edhe për një platformë me disa kolegë të mi kemi shpalosur për mënyrën ç’duhet bërë dhe si mundet të kapërcehet kjo krizë, ku pjesë e krizës ishte dhe reforma zgjedhore. Propozimi i rrugës ishte pikërisht kjo që ka ndodhur sot. Të krijohet një grup që të punojë jo në mjediset e parlamentit dhe të bëjnë pjesë përfaqësuesve e të gjithë partive politike dhe shoqërisë civile, nga grupe të interesit, specialistë dhe stafe akademike të universitetit dhe së bashku të dakordësohen për ndryshime që duhen bërë në legjislacion dhe pastaj të kalojnë në parlament. As më pak dhe as më shumë, këtë kanë bërë dhe me një ndryshim të madh me atë që kemi kërkuar ne, ranë dakord ta bëjnë vetë vetëm partitë politike, pa pjesën tjetër që është po kaq e interesuar.
Në qoftë se ajo që ne kemi artikuluar gjatë kësaj periudhe ka pasur dhe këtë efekt ne e quajmë goxha të mirë. Domethënë nuk është vetëm presioni i ndërkombëtarëve por edhe presioni jonë. Sot janë ulur dhe kanë lëshuar të dy”, u shpreh Kume.

Ai tha se në qoftë se reforma bëhet se na i kërkojnë më mirë të mos e bëjnë fare. “Reforma bëhet se duhet bërë. Me këtë legjislacion që kemi, kemi prodhuar shmangien nga parimi bazë. Për mua fakti që është përjashtuar kjo pjesë e shoqërisë, shumë e interesuar nuk më lë shije të mirë. Është thënë se do të punojmë. Ky këshill duke iu referuar programit dhe platformës së miratuar në komision para 2 viteve është thënë që jemi të hapur të trajtojmë çdo çështje tjetër, qoftë ato për sistemin dhe për referendumit.
Është e vështirë që të arrihet deri atje ku ne kërkojmë që të arrihet, nëse nuk do të jetë sërish presioni ndaj palëve. Nuk mjaftojnë disa ndryshime në legjislacionin zgjedhor për të arritur atje ku duam”, deklaroi ndër të tjera ish-kreu i KQZ.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb