Akademiku Artan Fuga ka ironizuar me marrëveshjen e sotme për Reformën Zgjedhore duke kujtuar një përrallë indiane me një burrë dhe një prift.

Fuga tregon se kjo përrallë i erdhi ndërmend kur kalonte sot tek Pallati i Kongreseve, pikërisht vendi ku u zhvillua mbledhja e Këshillit Politik dhe u firmos marrëveshja.

Pedagogu flet për një burrë i cili e kishte të vështirë për të jetuar me familjen në një kasolle të ngushtë, dhe prifti i cili i propozoi të fusë edhe disa kafshë dhe më pas t’i nxirrte avash avash, burri u ndje pas disa javësh i lumtur si një fitore e madhe.

 

STATUSI NGA ARTAN FUGA

Përse m’u kujtua një përrallë indiane sot?

Një burrë jetonte me familjen, gruan dhe pesë fëmijë në një kasolle të ngushtë. Nuk jetonte dot aq ngushtë. I kishte ardhur në majë të hundës maaaa!

Shkoi te prifti indian i fshatit dhe e pyeti: Si t’ja bëj?

Kollaj fare – ia priti prifti! – Do e gjej unë zgjidhjen!

Merr brenda kasolles edhe dy lopë, pesë dele, tre kuaj dhe hajde pas një jave të shohim përmirësimin!

Vjen burri pas një jave dhe qan! Eshtë bërë keq fare tani! Cfarë më bëre zoti prift!

Mos u mërzit – i thotë prifti! Hiqi kuajt dhe hajde pas një jave.

Vjen burri pas një jave i buzëqeshur : Pak më mirë ! – thotë.

Mirë, i thotë prifti, hiq delet tani, nxirri jashtë dhe hajde pas një jave!

Vjen burri pas një jave i qeshur. “Më mirë, ka përmirësim!”

Mirë, i thotë prifti, hiq edhe lopët tani dhe ktheu pas një jave të më thuash!

Pas një jave burri vjen shend e verë : Prift efendi, gjithçka në rregull, i hoqa edhe lopët dhe gjithçka është në rregull. Sa i lumtur jam! Nuk kam qenë kurrë kaq i lumtur sa sot. Fitore e madhe!

E pe? – i thotë prifti, ja të dy bashkë e zgjidhëm problemin tënd, shko jeto i lumtur tani!

Nuk di se përse sot m’u kujtua kjo përrallë kur po kaloja te Pallati i Kongreseve!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb