Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani iu është bashkuar reagimeve pas marrëveshjes mes opozitës jashtëparlamentare dhe maxhorancës për reformën zgjedhore. Përmes një statusi në ‘Facebook’ Manjani thekson se ulja në tryezë e palëve politike nuk iu duk marrëveshje serioze që të meritonte kaq shumë vëmendje.

Sipas tij kjo nuk ishte marrëveshje e nivelit të lartë. Mes të tjerash ai shton se kjo marrëveshje as i heq e as i ngre pikë elektorale partive të lodhura e të shkëputura nga realiteti.

REAGIMI I MANJANIT
Mbi debatin publik për marrëveshjen.
=========
Me thënë të drejtën, nuk më duket ndonjë marrëveshje aq serioze sa të meritojë kaq vëmendje publike.
Si pari ajo nuk është një marrëveshje e nivelit të lartë politik. Në atë tryezë vetëm Petrit Vasili ishte mbajtës i një funksioni të lartë partiak i partisë së tretë elektorale në vend. Të tjerët jo.

Së dyti ajo tryezë nuk konfirmoi asgjë që s’dihej. Pas kushteve të Bundestag palët ishin ulur edhe më parë në tryezën e reformës zgjedhore.

Së treti nuk pamë ndonjë tekst të shkruar e aq më pak ndonjë sistem garancish që ta bëjnë marrëveshjen e detyrueshme. Pra partitë mund të vijojnë rregullisht axhendat e tyre, pa qenë të detyruara të ndjekin një tryezë të tillë.

Së katërti Damianin nuk e shpëtoi nga hetimi për dosjen 184, ulja në tryezë me opozitën, por Prokuroria që degradoi provat e hetimit dhe të gjithë çështjen.
Së pesti askush nuk priste ndonjë reformë të thellë, por arna të sistemit aktual të votimit.
Së fundi kjo marrëveshje as i heq e as i ngre pikë elektorale partive të lodhura e të shkëputura nga realiteti…
Ajo që nuk gëlltitet dot, të paktën me aq info sa kemi, është ngulja e idesë që do bëhen zgjedhje të parakohshme. Kjo përderisa nuk dihet dhe s’është dakortësuar nuk ka pse thuhet.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb