GREQI-Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov në Konferencën shkencore në Ohër kushtuar 1000 vjetorit pas shtetit të Mbretit Samoil u fokusua në Marrëveshjen e Prespës për cështjen e emrit. Sipas tij, në këtë mënyrë do të shkohet deri tek shkrimi i të ashtuquajturës histori e re politikisht korrekte, në të cilën do të vendosen gjëra të shkruara sipas vullnetit të Greqisë e cila do t’u mësohet fëmijëve nëpër shkolla dhe studentëve nëpër fakultete.

“Me marrëveshjen e Prespës, veprimtarinë tuaj akademike dhe arsimore do ta mbikëqyrin politikanë, diplomatë dhe burokratë të cilët seriozisht do t’i censurojnë librat që ju i shkruani apo prej të cilave ju ligjëroni”- deklaroi Gjorgje Ivanov.

Para pjesëmarrësve në Konferencë, Ivanov tha se autorët e tekstit të Marrëveshjes së Prespës kanë treguar mosnjohje të historisë së Ballkanit.

“Por, ata shkojnë një hap më larg dhe mohojnë shumë vlera universale. Para së gjithash e mohojnë të drejtën për vetëvendosje që do të thotë se vetëm kombi ka të drejtë të vendosë për fatin e vet dhe se askush nuk është i autorizuar me dhunë të intervenojë në jetën e tij”- tha Gjorgje Ivanov.

Ashtu siç parashikon Marrëveshja e Prespës tashmë u formua Komiteti i përbashkët i ekspertëve të historisë, arkeologjisë dhe çështjeve arsimore mes Maqedonisë dhe Greqisë. Komiteti edhe pse duhet ta shqyrtojë interpretimin shkencor të ngjarjeve historike, megjithatë kjo do duhet të realizohet nën mbikëqyrjen e ministrive të punëve të jashtme të të dyja vendeve, raporton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb