TIRANE– Marrëveshja Rama-Basha e arritur më 18 maj për zgjidhjen e krizës politike dhe futjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare, është komentuar si një goditje ndaj LSI. Të njëjtin qëndrim ka shprehur ka edhe ish-deputeti i PD-së, Mark Marku. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Marku thotë se “LSI u ndëshkua për sjelljet e veta”.

Ai ka shprehur rezerva për qasjen që LSI ka ndaj pushtetit.

“Mendoj se marrëveshja PD-PS e godet LSI. Kam rezerva për qasjen që LSI ka ndaj pushtetit. Po kështu kam rezerva edhe për qëndrimin që mbajti LSI, deri në momentin e fundit tha nuk futem në zgjedhje pa opozitën, dhe pastaj bëri kompromis për presidentin. Besoj se Meta me kompromisin për president dëmtoi edhe PD edhe partinë e vet. LSI u ndëshkua për sjelljet e veta. Në një kuptim, do thoja se këtë që i ndodhi e meritonte. Një lojë e tillë ku dy parti vendosin të riformatojnë spektrin politik nëpërmjet marrëveshjeve, e shoh po aq të rrezikshëm sa lojërat e LSI përpara kësaj. Partitë e vogla vërtet janë klienteliste, ku një person është tërë kohës kryetar i tyre. Mendoj se kjo marrëveshje i rrezikon partitë e vogla, i çon drejt zhdukjes”, u shpreh Marku.

Sipas tij, marrëveshja PS-PD i dëmton partitë e vogla, të cilat rrezikojnë të zhduken me këtë “lojë”, siç e quan ai, për riformatimin e spektrit politik në vend.

Marku tha se tashmë kreu i PD duhet të tregohet i kujdesshëm me listat e kandidatëve për deputetë, pasi duhet të gjejë formulën e përfshirjes së aleatëve, të cilët i kanë qëndruar besnikë gjatë protestës.
“Marrëveshja i ka goditur aleatet, ndaj duhet të jetë i kujdesshëm me listat. Duhet të themi se aleatët i kanë qëndruar besnikë gjatë gjithë kohës. Duhet të gjendet formula e përfshirjes së aleatëve në lista. Duhet të gjenden modalitete, pasi praktikisht ata kanë të drejtë të ankohen. Unë kam mbështetur presionin dhe arritjen e marrëveshjes, por mendoj se ideja duhet të konkretizohet në një kompromis politik. Mendoj se Duka e Mediu kanë të drejtë. Dy partitë e mëdha u thanë aktorëve që kishin thirrur tryezën, “largohuni ju, se vendosim ne”, tha Mark Marku.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb