Marrëveshje për koordinimin e teknologjisë 5G mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken ka qenë pjesë e debatit sot në “Pikat mbi i” në News24.

Analisti Artur Zheji tha se 5G është superteknologjia e kohës, ku kush e dominon, dominon gjithë vendin duke folur për interesat amerikane dhe largimin e Kinës nga kjo teknologji në Europë.

Nga ana tjetër Nazarko bëri një lidhje të këtyre objektivave amerikane në Ballkan me qëndrimet e opozitës shqiptare. Ai tha më tej se SHBA vijon të njëjtat taktika për të kufizuar ndikimin rus apo kinez në Ballkan.

Zheji: Kryeministri i Shqipërisë në atë deklaratë për korridorin e sigurt, që të mos futen të tretë dashakeqës ripërsëriti pa diskutim me siguri fjalët dhe vendimin, sugjerimin intensiv apo udhëzimin e zotit Blinken, i cili me ndërhyrjen e mëparshme të institucioneve dhe instrumenteve të administratës amerikane përjashtuan një kompani kineze që një vit më parë eksperimentuan teknologjinë 5 G në Shqipëri, madje pamë zotin Rama duke i dhënë makinë, pa i dhënë.

Reagimet amerikane, underground ishin shumë energjike dhe menjëherë km shqiptar e ndërroi trajektoren e tij dhe nuk u fol më për teknologjinë 5G ‘Made in China’.
Në politikë nuk ka poezi për fat të keq, ka vetëm dramë. Teknologjia 5G me vizitën që bëri presidenti i Kinës në Europë dhe në aksin Gjermani-Itali dhe madje as Macron e as Merkel kur e takuan në Europë nuk donin të ishin veçmas por bashkë, sepse donin të mbroheshin ndaj shqetësimin amerikan. Oferta e madhe e presidentit kinez ishte gjigande, erdhi me një thes para ku porositi 300-400 avionë europianë, në këmbim të 5 G dhe rrugës së Mëndafshit dhe u lexua si nënshtrim i Europës ndaj gjigandit kinez. Shqipëria kishte bërë një lapsus me teknologjinë 5G. Rama e firmosi me Blinken teknologjinë 5G. Është superteknologjia e kohës, ku kush e dominon, dominon gjithë vendin. Nuk është një teknologji periferike, çfarë ndodh këtu në këtë vend, në kohë reale, në 3D është në tryezën e kompanisë që e kontrollon. Është kontroll strategjik mbi territorin. Bhet mes vendeve aleate.

Sa më thellë të futesh në një aleancë, aq më shumë çedon dhe aq më shumë ke një sovranitet të kufizuar, por ke garanci të shtuar. Nëse një shtet sulmon RSH gjithë aleanca e NATO-s do të dalë në mbrojtje të Shqipërisë.

Nazarko: Në takimin e Ramës me Blinken, me përfshirjen e Shqipërisë në KS, me manovrën Defender, me bisedimet Kosovë-Serbi me të cilën amerikanët po rikthehen, me aktet ekzekutive të Presidentit amerikan, ne po kuptojmë pse SHBA-të kanë dashur stabilitet në këtë vend, luftë të fuqishme kundër korrupsionit, sepse kanë dashur interlokutorë. Opozita shqiptare gjëja që nuk ka kuptuar, me Bashën a Berishën a të gjithë bashkë, dalja nga Kuvendi, futja në një skenar destabilizimi, ishte në kontrast me këtë objektiv amerikan. Kështu e pashë, ky është dimensioni i parë.

Zheji: Nuk mundet të flasësh për opozitën sikur është një entitet i çmendur, nuk dolën nga parlamenti për të prodhuar destabilizim, por sepse u poshtëruan në parlament. Mund të kenë gabuar betejën e tyre por politikisht, jo mendërisht.

Nazarko: Dolën nga parlamenti me dy ide. Nuk e bindën Perëndimin. Përfshirja, futja e vendit në skenarë destabilizues, qofshin për arsye legjitime, nuk ishte një skenar që përputhej me qëllimet e Perëndimit, SHBA-ve. Administrata e re vijon me projektet për 5G. Në marrëveshjen e Uashingtonit kishte një pikë që lidhej me 5G. SHBA-të duan të demonstrojnë që janë koherentë, vijojnë të njëjtat taktika për të kufizuar ndikimin rus apo kinez në Ballkan.

Rama krejt ndryshe nga çdo bënin paraardhësit e tij, nuk e ka përmendur përfshirjen e Berishës në listën non grata të SHBA-ve. Ky është tregues i qartë që sot opozita e re nëse do ta mundë Ramën duhet të ndryshojë kursin, ligjërimin politik.

Zheji: Mendoj që Rama nuk e përdor, nuk e lëndon publikisht Berishën për faktin non grata, për arsye se është mënyra më e mirë për të për të asimiluar kënaqësinë politike, që gogoli është tani i dobësuar. Është kaq inteligjent që ta bëjë atë.

Deri më 23 prill ka thënë Berisha, Berisha, Meta, tani ç’ta thotë, nuk i duhet. Ai e ka sulmuar Berishën deri më 23 prill dhe Metën gjithashtu. Bashën jo. Tani sulmon Bashën, ose vë sulmuesin anti-Basha. Ai u mor me llastimin e Gramoz Ruçit, e nxori në pension. Ai është njeriu më i fuqishëm në PS, ku ka kohë të merret me non grata. E ka larguar Ruçin dhe Ruçi dha dorëheqjen se nuk do donte të ishte era e pastrimit të një kohe, të një shtrese të politikanbërësve, i ka ardhur udhëzimi që të ketë një tjetër frymë.
Nazarko: Basha arriti atë rezultat të mirë duke qenë konstruktiv, duke vazhduar denoncimet me kanale ligjore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb