Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën ”Opinion” në News24 ka hedhur hipotezën se Greqia po tenton një marrëveshje të re deti me Shqipërinë duke shfrytëzuar negociatat e saj me BE.

Sipas Nazarkos, ky është shansi i fundit për Greqinë që të bëjë një marrëveshje dhe këtë do e kryejë duke ushtruar presionin e votës së saj në BE, madje për këtë dyshohet se do të jetë edhe shpejt vizita në Tiranë e ministrit grek të jashtëm.
Gjithsesi Nazarko e sheh të vështirë një marrëveshje Shqipëri- Greqi për detin, për shkak se në Greqi qeveris e djathta, ndërkohë Shqipëria nuk është më ajo e 11 viteve më parë, por është më e fuqishme ndërkombëtarisht.

Nazarko shton se Greqia ka pranuar një marrëveshje të re, por për interesin tonë sipas tij do të ishte më e lehtë që ajo të realizohej nën qeverinë e SYRIZA e cila ishte e hapur për të zgjidhur të gjitha problemet mes dy vendeve.

”Pikë së pari është konteksti ndërkombëtar, ballkanik dhe kombëtar që e ndez këtë debat. Konflikti Greqi- Turqi për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonave ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor jo thjesht midis dy vendeve, është në pikun e vet, jo thjesht për shkak të një padrejtësie historike të pas Luftës së parë botërore, por për arsye ekonomikke- shtresave të gazit në atë zonë.. Greqia ka hedhur një hap pozitiv, për ta rishikuar marrëveshjen me Shqipërinë, që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, ndonëse mund të insistonte në marrëveshjen e vjetër.
Është e qartë pra që kjo marrëveshje nuk është interes i dy shteteve, por përfaqëson edhe interes rajonal dhe global. Janë këto interesa që supozoj se ndikojnë në mos arritjen e shpejtë të saj.
Ka dhe kontekst të brendshëm që e defavorizon. Së pari, supozoj se ka mungesë harmonie brenda grupit negociator për shkak të insistimit të Presidentit që të përfaqësonte edhe interesat e tij brenda këtij grupi, edhe sipas rekomandimit të Gjykatës Kushtetuese. Është sensi i fajit i negociatorëve të kaluar, politikë dhe jo, që ndikon në benzinën shtesë që po i hidhet zjarrit të polemikës në një klimë paditurie të përgjithshme për një çështje specifike si kjo: disa aktorë politike që kanë negociuar marrëveshjen e vjetër, marrin topin e fajit dhe ua hedhin qeverisë sot..,
Nëse do të arsyetonim në terma neutralë, Greqia ishte brenda të drejtës të insistonte në marrëveshjen e vjetër, më e favorshme për të, pavarësisht se Gjykata jonë Kushtetuese e hodhi poshtë. Ai ishte një Pakt që u negociua, nga një palë shqiptare që kishte pothuajse atributet e plota, por nuk kishte me vete Presidentin. Ajo marrëveshje u hodh në koshin e historisë fatmirësisht dhe Greqia u bë e arsyeshme dhe vendosi ta rishikonte. Sa? Si? Sot jemi në një kohë tjetër, pra në një qeveri tjetër. Shqipëria e sotme ndërkombëtarisht është më fuqishme se ajo e 2009. Në këtë kuptim ka më shumë argumenta dhe karta për të negociuar një marrëveshje sa më të drejtë, si përshembull pozita ndërkombëtare më e fortë që vjen prej përkatësisë së konsoliduar në NATO, marrëdhëniet e shkëlqyera me Turqinë, etj. Kur sot Shqipëria është më e fortë, marrëveshja bëhet më e vështirë.
Po referohem aspektit, kohor ndaj le të bëjmë një shikim retrospektiv të dy kohëve. Nëse i referohemi qasjes që ka patur më parë Shqipëria, kur ministër i jashtëm ishte Bushati, u zgjodh trajtimi në një shportë i gjitha problemeve, qasje ambicioze, dhe që nënkuptonte më shumë hapësirë për transaksione: u zgjodh përfshirja në një shportë qoftë e ligjit të luftës, pronave në Greqi, marrëveshjes së detit, dhe pensionet, varrezat e ushtarëve grekë, apo çështje të tjera që janë moderne. Ajo qasje ambicioze, qëllimmirë, megjithatë nuk ishte shumë e drejtë, sepse komplikonte dhe fuste në lojë shumë probleme njëherësh, në trenin e vështirësive.. Ndërkohë e vërteta është që duhet të pranojmë se në 20 vitet e fundit, qeveria e mëparshme e Syriza, me kryeministër Cipras ka qenë më e mira përballë nesh, me të cilën mund të bëhej një marrëveshje më e drejta e mundshme. Marrëveshjet janë funksion i palës që ke përballë, i kohës, i koniunkturës. Ajo ishte një qeveri e cila kishte maksimumin e disponibilitetit për të qenë e hapur për të zgjidhur tërë problematikat e shportës; Greqia ishte në mes të një krize ekonomike dhe financiare dhe donte të lirohej nga përgjegjësitë e vjetra. Por zhvillimet tona të brendshme, protestat e grupeve të caktuara, përplasjet Kryeminisër- President e bënë të pamundur arritjen e marrëveshjes së Detit, apo të zgjidhjes së krejt problematikës së shportës, e cila do të çonte në një Traktat të ri miqësie.
Sot jemi në një kohë tjetër. Greqia është më e fortë. Ndonëse përflitet për marrëdhënie të mirë ndërpersonale mes Ramës dhe Micotaqisit, dyshoj se e djathta greke është çliruar tërësisht nga konceptet e saj të prapambetura, nga axhenda e vjetër historike e fetare përkundrejt Shqipërisë. Të gjitha këto e bëjnë më të vështirë një marrëveshje për detin. Ndërkohë marrëdhënia e shkëlqyer personale Rama Erdoan ndikon marrëveshjen. Mund të kemi gjitha kritikat për demokracinë në Turqi, por marrëdhënia preferenciale me Turqinë e ka forcuar pozitën negociatore të Shqipërisë. Jo thjesht përkundrejt një fqinji të domosdoshëm si Greqia, por edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Polemika për të ashtuquajturin 12 milje është një stuhi në gotë, e frymëzuar nga kompleksi i fajit i zotit Berisha- sepse Basha, po hesht, dhe nuk ka kurrfarë rrezikimi të Shqipërisë. Problematike mund të jetë ekzistenca e dy ishujve të vegjël: ishujt Erikusa dhe Othonoi mund ta komplikojnë pozitën e Shqipërisë, duke patur parasysh dinjitetin apo privilegjet që i kanë dhënë atyre pala italiane. Po me ne? Palët vendosin të peshojnë privilegjet që u jepet këtyre ishujve në raport me tokën kontinentale, për rastin në fjalë me Shqipërinë. Por sot s’kemi ende një marrëveshje. Kam dëgjuar një version, që sipërfaqja që do i jepej Shqipërisë në raport me Greqinë do ishte 54- 46. Sipas jurisprudencës së Gjykatës së detrave, çdo lloj marrëveshje që e kalon balancën midis dy vendeve- njeri me bregdet kontinental dhe tjetri ishuj të vegjël,në favor të vendit që ka tokë kontinentale është e drejtë, por kjo është me të dëgjuar.
Shqipëria sot nuk është ajo e 2009. Ka ndërkohë një kleçkë kontekstuale që duhet përmendur. Greqia me gjasë do përpiqet të shfrytëzojë faktin që Shqipëria do të çelë negociatat brenda Presidencës gjermane të BE, pra dhjetorit 2020 Pritet në shtator një raport i BE, e më pas Këshilli Europian të vendosë për thirrjen e Komitetit ndërministror- hapi i parë i negociatave BE-Shqipëri. Kjo stinë ngjan se është momenti i fundit për Greqinë, të kushtëzojë negociatat për Shqipërinë me marrëveshjen e detit. Prandaj besoj është parashikuar edhe një vizitë e ministrit të jashtëm grek Dendias, jurist i të drejtës detare, në javët e ardhshme, ”- tha Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb