TIRANË- Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Yangzhou në Republikën Popullore të Kinës firmosën sot një marrëveshje për shkëmbime kulturore. Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të rritjes së prosperitetit reciprok, bazuar mbi zhvillimin tërësor në kulturë, art, muzeologji dhe fusha të përbashkëta të kërkimeve shkencore midis dy vendeve.

Muzeu Historik Kombëtar, përfaqësuar nga drejtori, Melsi Labi dhe Muzeu Yangzhou, përfaqësuar nga Sun Yongru, Nëndrejtor i Komitetit të Përhershëm të Kongresit të Bashkisë Popullore Yangzhou, lidhën këtë marrëveshje për të forcuar dhe zhvilluar shkëmbimet artistike-kulturore në fushën e ekspozitave, kërkimeve shkencore, konservimin e artefakteve dhe për të bashkëndarë çështje me interes të përbashkët.

Kjo marrëveshje erdhi kryesisht si rrjedhojë e bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës apo asaj që quhet “Nisma 16+1”. Kjo nismë u krijua në vitin 2013, ku 16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) ndërmorën një nismë bashkëpunimi me Kinën, për projekte të përbashkëta, përfshirë edhe kulturën.

Por, gjithashtu marrëveshja erdhi edhe si rrjedhojë e vizitës që delegacioni shqiptar, kryesuar nga ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, zhvilloi në Republikën Popullore të Kinës për të marrë pjesë në kremtimet e 2500-vjetorit të themelimit të qytetit të Yangzhout nga data 28 shtator-2 tetor 2015.

Gjatë firmosjes së marrëveshjes, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, u shpreh mjaft i kënaqur që shtohet sot në listën e bashkëpunëtorëve të rëndësishëm të MHK edhe Muzeu i Yangzhou. “Shkëmbimet kulturore do të fillojnë mes dy institucioneve tona, pikërisht për të prezantuar Shqipërinë në syrin e popullit kinez dhe Kinën në syrin e popullit shqiptar. Jemi dy popuj me histori të gjatë e dinamike dhe kjo histori nuk duhet të mbetet në hije”, tha Labi.

Ndërsa Sun Yongru, nëndrejtor i Komitetit të Përhershëm të Kongresit të Bashkisë Popullore Yangzhou, shprehu përjetimet e tij më të mira për popullin shqiptar dhe kulturën e tij dhe siguroi se, marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës dhe miqësia tradicionale mes Kinës e Shqipërisë do të shndërrohen në projekte konkrete bashkëpunimi.
Bashkia Yangzhou, kohët e fundit po zhvillon marrëdhënie të posaçme me Shqipërinë duke intensifikuar marrëdhëniet edhe në fushën e investimeve. Në kuadër të këtyre marrëdhënieve u nënshkrua edhe memorandumi bashkëpunimit mes qytetit të Vlorës dhe qytetit Yangzhou.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: