HUNGARI- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Budapest të Hungarisë ku ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, që i hap rrugë fillimit të fluturimeve të kompanisë “Low cost” WIZZAIR, në muajin prill 2017.

Ministri Dervishaj fillimisht falënderoi qeverinë Hungareze për mbështetjen që i jep Shqipërisë në proceset integruese në Bashkimin Europian.

Duke u ndal te Memorandumi që nënshkroi me gjatë takimit me Ministrin e Zhvillimit Kombëtar Miklós Seszták, ministri Dervishaj theksoi se ardhja e kompanisë “Low cost” për fluturimet Budapest-Tiranë dhe anasjelltas, është zhvillim shumë pozitiv për shqiptarët, që mund ta përdorin më tej Budapestin për të shkuar në destinacione të tjera.

Fillimi i fluturimeve të kësaj kompanie të njohur “Low cost”, do të hapë edhe më shumë tregun shqiptar dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të biletave, tha Dervishaj.

Ministri Dervishaj tha se rivendosja e një linje ajrore mes 2 shteteve, përveç ndikimit pozitiv që do të ketë në sektorin turizmit, zgjeron mundësinë për shkëmbimet tregtare.

Ministri Sokol Dervishaj u ndal te Aeroporti i Kukësit, duke thënë se Ministria e ka prioritet vënien në përdorim. Do të doja të shikonim hapësirën që kompania ajrore WIZZAIR, të vijë dhe të operojë direkt, qoftë dhe me konçesion këtë aeroport, tha Dervishaj.

Nga ana e tij Ministri i Zhvillimit Kombëtar Miklós Seszták, tha se kjo është një marrëveshje historike që u arrit falë angazhimit personal të Ministrit Dervishaj, pasi ishin 2 vjet që nuk po nënshkruhej nga pala shqiptare.

Z.Seszták tha se ky memorandum, është historik pasi të dyja palët fitojnë dhe më e rëndësishmja, përfitojnë qytetarët. Ministri Seszták gjithashtu mirëpriti propozimin për një përfshirje të mundshme të kompanisë WIZZAIR në Aeorportin e Kuksit.

Më tej Ministri Dervishaj dhe Ministri Hungarez Seszták diskutuan për të bashkëpunuar në fusha të tjera, ku kompanitë hungareze janë të mirëpritura.

Ministri Seszták tha Hungaria është shumë e interesuar të investojë në Shqipëri, si në sektorin ajror që tashmë është konkret si angazhim, por edhe në sektorin detar dhe atë hekurudhor.
Dy zyrtarët e lartë ranë dakord që të vijojnë takimet për të konkretizuar bashkëpunimin në sektorët të ndryshëm të ekonomisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb