TIRANE– Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Policia e Shtetit kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka si qëllim ndërveprimin në kohë reale mes dy institucioneve për t’i shërbyer luftës kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë të veçantë pastrimit të parave si një ndër format e këtij krimi.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtuesit e lartë të dy institucioneve, përkatësisht nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako dhe Krye-Regjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ilirjan Muho.

Çako e cilësoi këtë marrëveshje si të një rëndësie të veçantë, pasi do të mundësojë fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe shkëmbimin në kohë reale të informacionit, duke i shërbyer prioritetit kryesor që lidhet me luftën kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e pasurive, që kanë si burim aktivitetet kriminale të individëve apo grupeve kriminale.

Çako gjithashtu falënderoi ZQRPP për gatishmërinë në realizimin e kësaj marrëveshje dhe ofrimin e një bashkëpunimi efikas e të shpejtë në interes të përmbushjes së një prej prioriteteve të Policisë së Shtetit dhe të Qeverisë Shqiptare, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë Krye-Regjistruesi Muho vuri në dukje synimin e kësaj marrëveshje që lidhet me identifikimin e veprave penale në fushën e pastrimit të parave dhe rritjen e bashkëpunimit institucional, i cili është vendimtar luftën kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe pastrimin e parave në veçanti.

Muho e cilësoi këtë marrëveshje si një domosdoshmëri në punën e përbashkët e shkëmbimin e informacionit mes strukturave respektive.

“Me krijimin e aksesit në sistemin elektronik të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të dhënat do të merren në kohë reale, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e kryerjes së veprimeve përkatëse në marrjen dhe shkëmbimin e informacionit”, theksoi Krye-Regjistruesi.

Marrëveshje e hartuar nga një grup pune me përfaqësues nga Sektori për Pastrimin e Parave në Drejtorinë e Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit dhe përfaqësues nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ka si objekt bashkëpunimin për shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave në lidhje me të drejtën e pronësisë, pasurinë e identifikuar si objekt i këtyre të drejtave dhe mbajtësin e kësaj të drejte për identifikimin dhe hetimin e pastrimit të parave. Po ashtu bashkëpunimin në përpunimin dhe analizimin e informacionit, që do të shkëmbejnë strukturat përkatëse, si dhe përfitimin e të drejtës së aksesit në sistemin elektronik të pasurive të paluajtshme.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb