Deputeti Agron Duka ishte i ftuar në programin “Dola te Ola”, ku ndër të tjera foli edhe për karrierën e tij në politikë. Ai ka studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në degën Agronomi, ndaj edhe rrugëtimi i tij në politikë ka qenë pjesë e kësaj fushe.

Ai rrëfeu se në momentin që i është futur politikës e ka patur të vështirë, por më pas nuk është bërë pishman. “Kur ulesh në karrigen e deputetit dhe të ministrit dhe ke një ideal për t’i shërbyer popullit, politika është e bukur, e nëse ke arsye tjetër, për pushtet dhe pasuri, atëherë është e shëmtuar”.

Agron Duka foli edhe për marrëdhëniet që ka patur me politikanët e tjerë, duke vlerësuar më së shumti Fatos Nanon mes kryeministrave. “Kurrë nuk hynte në punën e ministrave, dhe pranonte çdo lloj propozimi nëse dije ta argumentoje. Ishte liberal, cilësi të cilën nuk e ka asnjë nga politikanët e tjerë”, tha ai.

Pas largimit të Nanos nga politika, Duka tha se mendonte se ai do të rikthehej, sikurse kishte ndodhur edhe herë të tjera. “Marrja e partisë nga Edi Rama bëri që kthimi të mos ndodhte pasi ai krijoi frymën e vet’.
Më tej Duka Edi Ramën e cilësoi si një politikan të vështirë, por të fortë. Ndërsa për situatën e krijuar në PD, tha se asnjë nuk e mendonte që Berisha do të ngrihej dhe do të kishte entuziazmin, fuqinë dhe forcën që ka sot, teksa shtoi se sipas tij së shpejti “do të kemi dy parti simotra”.

Agron Duka gjatë programit mori edhe një videomesazh surprizë nga miku i tij i ngushtë, Genc Luka, i cili theksoi se e vlerëson dhe respekton deputetin për atë që ai përfaqëson.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb