NGA GERILINA KODHELI

Konsiderohet shpesh si zëri “black” i muzikës sh qiptare, e në fakt, ngjyrimi melodioz i zërit të Marsela Çibukajt e ka bërë një këngëtare shumë të dashur për shqiptarët. Artistja është prej vitesh tashmë një nga zërat më të adhuruar të muzikës live, por kohëve të fundit fama e saj i ka tejkaluar kufijtë e vendit tonë. Aktualisht këngëtarja tregon se është në turne me një nga mentoret e “The Voice Italia”, Noemi, ndërsa është gjithashtu pjesë edhe e një emisioni televiziv në “Canale 5”. Për të gjitha këto detaje, por edhe për jetën e saj private, pushimet e dashurinë, Marsela Çibukaj na rrëfehet në këtë intervistë për “Summer Pages”.

Ke planifikuar të sjellësh një këngë për verën, siç është bërë traditë tashmë për artistët?
Jo, nuk kam asnjë plan për një këngë këtë verë.

Je mjaft aktive në jetën e natës me muzikën live. U bënë disa vjet që nga ‘Voice’ dhe mbetesh ndër më të preferuarat. Çfarë të bën të veçantë?
Nuk mendoj se kam diçka të veçantë, thjesht unë bëj punën time dhe e bëj në mënyrë natyrale. Edhe pse punoj më shumë me këngë cover se sa origjinale mundohem gjithsesi që të jem sa më afër vetes dhe stilit tim. Ndoshta ky natyralitet mund të krijojë një feedback të mirë tek publiku. Nuk jam asnjëherë e sforcuar, notoj në ujërat e mia dhe nuk dal kurrë nga vetja.

Gjatë verës do udhëtosh për koncerte?
Po, do të jem si në Shqipëri ashtu edhe në Itali këtë verë. Aktualisht jam në turne me Noemin, këngëtaren italiane dhe po e bëj vajtje ardhje. Kam realizuar edhe disa puntata për një emision televiziv në Itali, në “Canale 5”. Është një festival që transmetohet çdo të hënë në orën 21:00. Më 22 korrik do të jem pjesë edhe e festivalit multikulturor në Berat. Korriku do të jetë i mbushur me angazhime, ndërsa gjatë muajit gusht do të pushoj me familjen dhe me miqtë.

Si u bëre pjesë e turneut të Noemit?
Pas “The Voice” kemi mbajtur shoqëri dhe më kërkoi që të isha pjesë e këtij projekti. Me shumë kënaqësi pranova, është një eksperiencë shumë interesante sepse është një mënyrë e bukur për të shkëmbyer përvoja muzikore me muzikantë profesionistë shumë të mirë, është një arritje e bukur.

Pushimet ku do t’i kalosh?
Do lëvizim me shoqërinë, por nuk e kemi vendosur ende nëse do t’i bëjmë këtu apo në Greqi. Jam gjithmonë në kërkim të pushimeve sa më relaksuese, larg nga zhurma dhe larg nga këto gjërat luksoze sepse nuk më përkasin.

Si të duken kushtet në Shqipëri?
Nuk di ta them me saktësi, por di të them që mungojnë ende shumë gjëra. Natyra është e mrekullueshme, por strukturat lënë shumë për të dëshiruar. Ajo që mund të “kritikoj” është mungesa e shërbimeve shëndetësore. Nëse shkon në jug me fëmijë, vritesh apo ndjehesh keq në det ajo që mendon është se kush do të të ndihmojë dhe cila është qendra shëndetësore më e afërt. Edhe kur më pyesin miq italianë që duan të vijnë për pushime në Shqipëri kam pak vështirësi t’i marr përsipër këto lloj angazhimesh sepse mungojnë disa gjëra të rëndësishme.

Por nga ana tjetër kemi një det të mrekullueshëm. Aventura më e çmendur e verës?
Nuk jam shumë tip i tillë. Më pëlqen të udhëtoj dhe të jem në vende shumë të izoluara, vetëm unë dhe natyra. Kjo mund të quhet gjëja më e çmendur që kam bërë.

Vazhdon të jesh e dashuruar?
Jo, jo! Kam qenë gjithë jetën e dashuruar, por asnjëherë në të vërtetë.

Pse? Çfarë ka ndodhur?
Nuk e kemi gjetur ende princin e kaltër.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: