NGA ENIDA HIMAJ*

Marsela është ndër të paktat artiste që ka ditur se si të marrë famë me muzikë të mirë, larg bujës mediatike. “Më pëlqen që muzika të mbetet diçka që dëgjohet, mbi të gjitha, jo të shihet”, shprehet këngëtarja, që shquhet për zërin unik. Shpeshherë e kanë krahasuar me Adele, por duket se kjo nuk e bezdis, pasi për të është vlerësim të ngjasojë me divën ndërkombëtare. Javët e fundit po e shikojmë ndryshe, në emisionin e ri “Në një javë”. Ndër performancat më të spikatura ka qenë edhe imitimi i Olta Gixharit, që ashtu si vetë Marsela na thotë, e mori me shumë sportivitet. Në jetën private ndihet e realizuar, edhe pse na kursen detaje rreth pyetjes nëse ka dikë në krah.

Marsela i rikthehet skenës, këtë herë në programin “Në një javë”; si ju erdhi ftesa?
Ftesa më erdhi nga autori i programit, Rezart Aga, i cili më foli për një spektakël shumë ndryshe nga çfarë është parë në ekran deri më sot, në shumë aspekte. E para, personazhet që konkurrojnë në këtë ‘show’ jo vetëm që vihen në provë me veten në një shumëllojshmëri disiplinash (balet, aktrim, pantomimë, sporte ekstreme, akrobaci etj.), për ta disa herë shumë larg nga ç’është formimi i tyre profesional, por edhe sepse ata do mundohen t’i realizojnë me përsosmëri vetëm në pak ditë përgatitje, dhe kjo më bëri kurioze si gjë. E dyta, sepse ky ‘show’ ka një finalitet të mirë, që do të thotë që çmimi final, i cili do fitohet nga konkurrenti që do arrijë të mbledhë më shumë vota në internet, do të shkojë në ndihmë të dikujt që është në vështirësi, është nevojtar. Kjo për mua ishte, me siguri, arsyeja për të cilën pranova të vija veten në sfida e në prova që nuk më përkasin dhe që për mua mund të jenë shumë të vështira. Ku ka më bukur që me një spektakël të arrish të bësh 2 punë: të kënaqësh jo vetëm publikun që të ndjek, por edhe t’u japësh pak buzëqeshje atyre që jeta nuk u ka dhuruar shumë?!

A pati mëdyshje Marsela për të marrë pjesë në këtë format?
Normalisht që kisha pasiguri, sepse, duke ditur që formati parashikonte edhe prova dhe sfida fizike shumë të vështira, për të cilat duhet një përgatitje sportive goxha e evidentuar, për mua që nuk jam “Sharapova”, pak mëdyshje është e justifikuar, por pastaj me optimizmin që më karakterizon mendova që mund t’ia dilja edhe me disa kile më tepër.

Si e gjeni veten, a jeni përshtatur tanimë me programin?
Jam përshtatur shumë mirë që në fillim. Ka disa performanca që kurrë nuk do kisha marrë përsipër t’i realizoja me iniciativën time. Është një mrekulli të shohësh se sa shumë gjëra mund të bëjmë ose të paktën të tentojmë të bëjmë, qoftë edhe për t’u dhënë disa herë pak piper ditëve tona.

Deri më tani, cila është sfida më e vështirë që keni kryer?
Jemi akoma në fillime dhe më kanë thënë që provat do bëhen gjithmonë e më të vështira në vazhdim. Por deri tani mund të them që, prova e javës që shkoi, “StepUp”, pra baleti Hip-Hop që realizuam bashkë me Gaz Pajën, ka qenë një nga gjërat më të vështira, por edhe më e bukura njëkohësisht, pasi shpluhurosa pak pasionin që kisha për baletin kur isha e vogël.

Cila është sfida që Marsela nuk do ta merrte kurrë përsipër?
Me siguri u druhem pak sfidave ku kërkohet një forcë fizike dhe muskuj jashtë mundësive të mia, por nuk humbas kurrë kuriozitetin dhe dëshirën për të parë deri ku mund të arrij.

Ndërkohë, një imitim perfekt i Olta Gixharit; pse zgjodhët pikërisht atë? A pati pas performancës hatërmbetje mes jush?
Në imitimet, fatkeqësisht thonë që kam pasur talent që kur isha e vogël dhe imitoja mësueset e shkollës. Pastaj u binda edhe vetë duke u rritur. Mendoj që lind gjithçka nga fakti që, për të imituar dikë do thotë që je një detajist dhe një vëzhgues i karakteristikave në mënyrë natyrale dhe të theksuar. Pikërisht si fillim më erdhi natyrale Olta, sepse ka një mënyrë të bërë me karakteristika që më ranë në sy më shpejt sesa dikush tjetër: pak Marilyn Monroe, pak diva e viteve ’50. Më pëlqeu që Olta e mori me sportivitet, por që, jo vetëm Olta do të ketë këtë lloj dhurate nga unë. Edhe të tjerët duhet të fillojnë të ‘shqetësohen’.

Si po vijon karriera e Marselës; përse kemi kohë pa ju parë me një klip të ri?
Marsela ka vendosur disa gjëra për këtë vit. E para, të mos marrë më pjesë në konkurrime muzikore në Shqipëri, sepse nuk më pëlqen fakti që muzika është sfidë dhe çmime, ndërkohë që muzika është liri shprehjeje. Duhet të jetë e lirë nga çdo faktor i jashtëm, sidomos nga krahasimet, sfidat shpeshherë të korruptuara dhe që devijojnë nga koncepti “muzikë”, për mua. Dhe e dyta, të prezantohem te publiku me një projekt më të kompletuar, siç është albumi mbi të cilin po punoj, pasi mund të tregoj më shumë nga vetja.

A është Marsela “shumë e madhe” për nivelin e muzikës shqiptare?
Fjalët “artist” dhe “e madhe” u thuhen shumë pak njerëzve në botë. Të tjerët janë thjesht një kornizë. Unë jam thjesht një vajzë me një dhuratë të madhe nga Zoti ose nga natyra.

Ju pëlqen teksa ju krahasojnë me Adele?
Krahasimi me Adele nuk më bezdis aspak, pasi flasim për një ngjashmëri krejt natyrale (si për shembull timbri vokal ose butësitë e formës fizike që na karakterizojnë), me një super këngëtare botërore që numëron miliona kopje disqesh në botë të shitura dhe gjithmonë në krye të klasifikimeve muzikore.

Si i shikoni sot këngëtarët shqiptarë?
Nuk më pëlqen të zgjatem shumë mbi këtë argument, pasi kam përshtypjen që në Shqipëri ka shumë pak këngëtarë të vërtetë që unë stimoj dhe vlerësoj për të tjerët. Janë show-man ose show-girl që dinë të bëjnë pak nga të gjitha dhe asgjë mirë.

A e ka menduar ndonjëherë Marsela ekstravagancën në performancat e saj, a shet seksi edhe në muzikë?
Kam një bindje tjetër mbi “çfarë quhet muzikë”, që është komplet larg idesë të të zhveshurit ose të ekspozuarit. Më pëlqen që muzika të mbetet diçka që dëgjohet, mbi të gjitha, jo të shihet. Prandaj kam dëshirë që njerëzit të vazhdojnë të më dëgjojnë edhe në të ardhmen.

Si është jeta private e Marselës?
Jeta e Marselës është plot me impenjime pune në “Top Channel” dhe me mbrëmjet ‘live’ në Tiranë dhe jashtë Tiranës. Herë pas here kaloj disa ditë te familja në Itali. Ndonjëherë takohem me shoqërinë në Tiranë, për ndonjë drekë ose kinema bashkë. Kaq, ose të paktën kaq mund të them.

Kur do të martohet Marsela; do të jetë një dasmë publike apo diçka intime?
Dasmat janë evente shumë të bukura, ashtu siç pak evente gazmore dinë të jenë, sidomos në Ballkan ose në Shqipëri. Më pëlqejnë sidomos dasmat tona plot muzikë e tradita. Dhe për veten, pse jo, do e merrja në konsideratë të bëja një ditë feste, ku të gëzoja veten dhe njerëzit më të dashur, edhe sepse së fundmi kam mësuar të kërcej vallet tona, kështu që ia vlen.

(m.k/VipPages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: