Muaji mars në Kosovë rikthen në kujtesë periudhën e luftës dhe masakrat e shumta që u kryen nga forcat paramilitare serbe.

Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë më 25 mars të vitit 1999, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël në afërsi të Rahovecit, forcat serbe kryen një nga masakrat më të mëdha në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Më 25 mars deri më 27 mars, ushtria serbe kreu masakrën mbi fshatarët e Krushës së Madhe duke lënë të vdekur kështu 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme, të kryera mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që janë bërë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe.

  • foto galeri
  • foto galeri

Po ashtu, sot mbushen 24 vjet nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.

Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.

24 vjet më parë, forcat serbe kryen masakrën edhe mbi familjen Berisha nga Suherka.

Forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha në Suharekë e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetonte.

Nga kjo masakër kishin mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kishin kërcyer nga kamioni që ka qenë në lëvizje për të shpëtuar. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamionin kishte pasur edhe të tjerë që kishin qenë gjallë, por të plagosur.

Para pak vjetësh, ishin gjetur dhe varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur eshtrat e të gjithë anëtarëve të familjes Berisha.

Kujtojmë se NATO përfundoi fushatën e bombardimeve më 11 qershor të vitit 1999, pasi Millosheviq pranoi kushtet e tërheqjes së ushtrisë jugosllave dhe KFOR-it në Kosovë. Gati një dekadë më
vonë, Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb