I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Martin Jorgaqi nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU ka folur për masat që merr ky institucion përmes kontrolleve në terren për t’i ofruar konsumatorit produkte sa më të sigurta në treg.

“Në lidhje me proteinat e ulëta në miell është një shqetësim me vend, pasi prek të gjitha kategoritë e moshave të konsumatorëve. Mielli është një produkt që shëndërrohet në produkt përfundimtar si bukë, biskota, pica, ëmbëlsira dhe të gjitha janë të konsumueshme nga të gjitha grupmoshat, veçanërisht nga fëmijët apo moshat e treta. Duke patur këtë realitet përdorimi i miellit merr një rëndësi të veçantë. AKU nëpërmjet bazës ligjore, ligjeve, Udhëzimit të Ministrave është çdo ditë në terren për të parë konformitetin e aktivitetit të kompanive të ndryshme lidhur me lëndët e para dhe produktit që ata iu ofrojnë konsumatorit. AKU funksionon me plan inspektimesh apo kontrollesh zyrtare të miratuara nga ministri në bazë të riskut për produkte ushqimore. Produktet ushqimore janë të kategorizuara në A, B dhe C, që lidhen me rrezikun e tyre në shëndetin e konsumatorit. Për miellin dhe furrat e bukës janë të kategorisë së tretë, kanë frekuencë kontrolli më të ulët, por inspektorët kryejnë kontrollet sipas bazës ligjore, duke nisur nga importi i lëndës së parë nga jashtë dhe prodhuesit e brendshëm deri në daljen e produktit përfundimtar. Numri i prodhuesve në vend shkon në 47 dhe tregtarët e miellit, ndërsa furrat e bukës shkojnë në 1110. Ky është një numër shumë i lartë krahasur me burimet apo resurset njerëzore që kemi në dispozicion, por deri tani ia kemi dalë. Nuk kemi patur problematika masive në helmimin apo moskonformitetin e aktivitetit të prodhuesve apo furrave të bukës. Proteina është element cilësor që nuk ka të bëjë me sigurinë ushqimore, por ligjvënësi është kujdesur që konsumatori përveç sigurisë ushqimore të ketë edhe cilësi”, tha Martin Jorgaqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb