TIRANE
Tingujt e muzikës xhaz kanë mbështjellë “Renë” në kuadër te festivalit “Gjon Mili”. Martin Listabarth, një pianist xhazi e kompozitor austriak luajti pjesë nga dy albumet e tij “Kartolina” dhe “Përkushtim”. Ai përcjell energjinë dhe magjinë e notave në bisedë si edhe shpirtin që fshihet pas kompozimeve të tij.
“Kartolinat është një album për vendet që kam vizituar ose dua të vizitoj. Ndërsa ‘Përkushtimi’ është një album ku çdo pjesë i kushtohet një njeriu që më ka frymëzuar, magjepsur, nga letërsia, sporti, artet. Janë disa prej ideve të tyre në muzikën time”
Listabarth nisi të studiojë pianon në moshën 5-vjeçare në shtëpinë e tij. Hapat e parë në muzikë ishin klasikë dhe një hulumtim vetiak mbi melodinë dhe improvizimet.

“Që në fillim ishte improvizimi që më magjepste. Muzika ime improvizohet nga historitë. Kur kompozoj muzikë, zakonisht pika fillestare është si një fotografi që unë kam në mendjen time dhe përpiqem ta përkthej këtë imazh në muzikë. Kjo më ndihmon edhe kur luaj në piano live, sepse kam këto imazhe në kokë, imazhe që duken edhe si film”, pohon pianisti.

Ndërsa rrëfen, duket se ka te ai, një qasje prej George Gershwin mbi improvizimet.

“George Gershwin është kompozitor i madh. Më pëlqen aftësia që pati për të përshtatur muzikën klasike me ndikimet e xhazit. Shpesh përvojat vetiake janë burime frymëzimi, sepse mund të lidhesh me audiencën vetëm duke dhënë një mesazh që mund ta ndjejnë e kuptojnë të gjithë. Ne kemi përvoja të ngjashme në jetë dhe nëse jam në gjendje t’i përcjell ato me muzikën që bëj, atëherë mund t’i flas publikut. Uroj që herën tjetër të rri më gjatë në Shqipëri që të njihem me muzikën shqiptare. Shoh që jeni mendjehapur”tha ai. Aa

Për Listabarth, xhazi është një mënyrë unike për të gjetur zërin tënd, e për të thënë ekzaktësisht atë që ke dëshirë të shprehësh. Ardhja në Shqipëri si pjesë e programit “Nasom” të Ministrisë e Jashtme Austriake është një mnëyrë për të treguar se muzika austriake nuk është vetëm klasike por ka edhe një spektër më të gjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb