Në fshatin Cestije në Bashkinë e Belshit jeton familja Fejzullau. Djalit të tyre Martint i ka ndodhur një aksident mjaft i rëndë në moshën më të bukur të jetës.

Ai sapo ishte kthyer nga emigrimi pak vite më parë dhe ndërsa qarkullonte me motor në fshat ka ndodhur aksidenti i rëndë. Martini, 22 vjeç tregon me detaje të imtësishme jetën në emigracion, kthimin pranë familjes dhe ditën kur i ndodhi aksidenti fatal që për pak nuk i kushtoi edhe me humbjen e jetës.

Por 22-vjecari, edhe pse ka kaluar ditë mjaft të vështira që nga koha kur u aksidentua dhe pasojat për shëndetin e tij ishin mjaft të rënda, jo vetëm që nuk u dorëzua përballë vuajtjeve, por as që nuk e jep kurrë veten. Ai shpreson se e keqja do të kalojë dhe se do jetë e afërt dita kur ai do shërohet.

Martini beson shumë se do të mund t’i rikthehet jetës normale e se një ditë do të ngrihet sërish në këmbë. Ai madje shpreson se do t’i rikthehet edhe punës si dikur, para se t’i ndodhte aksidenti.

Por gjendja e tij ende është e rënde dhe familja e tij e ka të pamundur ta dërgojë sistematikisht për kontrolle në Spitalin e Traumës për të marrë mjekimin e duhur. Kjo jo vetëm për faktin se ai ende pas ndërhyrjeve të vazhdueshme kirurgjikale gjatë 16 muajve të qëndrimit në spital, vazhdon të dergjet në shtrat, por edhe sepse i kanë shteruar të gjitha burimet financiare për të përballuar më tej shpenzimet.

Martini aktualisht mund të lëvizë për në spital mjaft rrallë në mënyrë të detyruar vetëm me karrocë me rrota dhe me automjet privat, sepse autoambulanca e spitalit bashkiak të Belshit është e pamundur t’i vihet në dispozicion, për shkak të rregullave që janë përcaktuar nga shteti dhe që nuk garantojnë shërbim ndaj qytetarëve për raste të kësaj natyre specifike, qoftë edhe kundrejt pagesës ekstra me faturë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kështu që në pamundësi për të përballuar vizitën, kontrollin dhe transportin për në spitalin privat, familja Fejzullau detyrohet të gjejë zgjidhje, por jo atë që duhet, sepse nuk mundet. Prindërit e 22-vjeçarit tregojnë se kur është vizituar kohë më parë dhe së fundmi, mjekët i kanë thënë se dëmtimet e tij mund të shërohen me ndërhyrje të specializuar, por kjo mundësohet vetëm në një klinikë në Turqi.

Por familja Fejzullau nuk ka më asnjë mundësi financiare që ta dërgojnë djalin për kontrolle mjekësore e jo më që ta kurojnë. Fatura paraprake sipas mjekëve shkon në rreth 52 000 euro dhe ndërhyrja duhet të kryhet gjatë dhjetorit 2019.

Të ndodhur para kësaj alternative familja e 22-vjeçarit po kërkon ndihmën financiare të gjithkujt që të mundësojnë shpëtimin e jetës së Martinit. Mjekët që e kanë trajtuar pas aksidentit kanë konstatuar se ai ka mbërritur në urgjencë pas një politraume, hemopnx, fracture sternuni, fracture compressive e Th 5-9, që i kanë shkaktuar paraplegjia inferior ASIA-A.

Pavarësisht ndërhyrjeve të specializuara dhe kujdesit të jashtëzakonshëm të treguar nga Spitali i Traumës në kryeqytet, gjendja e 22-vjecarit Martin Fejzullau mbetet e rënduar. Apeli i të gjithëve për ndihmë nuk rresht nga mëngjesi deri në darkë. I ati, e ëma, e motra dhe të gjithë të afërmit e tij shpresojnë se thirrjes së tyre për ndihmë për ta mundësuar financiarisht operacionin e Martinit të paralizuar në shtrat do t’i përgjigjen të gjithë.

Martini e kishte menduar ndryshe rininë. Por fati nuk ishte i drejtë me të. Ai i ishte përveshur punës dhe ëndërronte të bëhej dikushi me punë të ndershme dhe t’i ndihmonte të tjerët. Por, tashmë dergjet në krevat dhe po kërkon ndihmë për vete. Pranë tij qëndron karroca me rrota dhe ilaçet që i mbushin përditshmërinë e tij. Pranë i qëndrojnë krahas tyre edhe prindërit dhe e motra, që nuk iu thahen lotët nga sytë. Po as Martini, as ata nuk dorëzohen në asnjë çast. Të gjithë shpresojnë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb