TIRANË – Fototeka e famshme “Marubi” në Shkodër do të pasurohet me 2280 dokumente fotografike të vëllezërve fotografë, Mehmet dhe Osman Kallfa. Ceremonia e dhurimit nga familja Kallfa do të bëhet nesër, në prani të Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kjo arkivë, njoftoi ministria, e dhuruar nga Pllum Kallfa, djali i fotografit Mehmet Kallfa (në foto), do t’i bashkangjitet inventarit të Fototekës Kombëtare “Marubi” në Shkodër dhe përmban gjithsej 2272 dokumente fotografike dhe 8 objekte të tjera të “Foto Studio Kallfa”, gjithsej 2280.

Arkivi është i pasur me: Film në negativ, fotografi në pozitiv, aparat fotografik “Praktica PLC 2”, “Kodak Vollenta 620”, stativ i aparatit të vjetër “Lamperti & Carbagnati”, Milano dhe aparat fotografik i vjetër me objektiv “Scheneider – Kreuznach” etj.

Mehmet Kallfa punoi si fotoreporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare gjatë viteve 1944 – 1957 dhe për pak kohë ai punoi dhe si operator pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Pas 1957, e deri në fund të jetës së tij ai punoi pranë sektorit të arkeologjisë në Universitetitn e Tiranës.

Arkivi i tij është mjaft i pasur me fotografi që dëshmojnë momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë së viteve 1940- 1970. Ndër momentet më të rëndësishme që ai fotografoi janë: Hyrja e qeverisë komuniste në Tiranë më 28 nëntor 1944, vizita e Nikita Hrushovit në Shqipëri dhe fotografi të tjera të manifestimeve, pleniumeve dhe kongreseve të para të Partisë Komuniste. Krahas këtyre fotografive, më të njohurat mbeten ato të publikuara në albumin e parë për arkeologjinë, “Shqipëria arkeologjike” e vitit 1971.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: