TIRANE

Ish-deputeti i PD, Luciano Boçi ka reaguar përmes një statusi në facebook, lidhur me pezullimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe komandimin në këtë detyrë të Bernard Dostit. Për demokratin Boci, Ministrja Shahini po vepron me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duke shkelur cdo ligj për zëvendësimin e rektorit të Universitetit të Tiranës.

“ A DI SHQIP MINISTRJA E ARSIMIT?! Rama me ministren e tij profane, marrin kontrollin e Universitetit të Tiranës me dhunë, jashtë çdo ligji e Kushtetute. Në një akt të paprecedent antikushtetues dhe antiligjor, Ministrja e arsimit, Shahini pezullon e shkarkon, Rektorin e UT. Në të njëjtin urdhër bakalli, ka komanduar Rektorin e ri. Nenet që i referohet urdhëri, nuk i japin asaj tagër ligjor për të dy vendimet. Por siç duket Ministrja ka shumë probleme me kuptimin e shqipes.

Jo vetëm. I duket vetja Shullazja e qeverisë. Ka probleme dhe me kuptimin e rolit që ka. Sipas nenit 39, pika 10, të cituar në Urdhër, Ministrja i propozon shkarkimin e Rektorit, Presidentit.  Në rast mosshprehje nga ana e tij, për një muaj shpall zgjedhjet. Këtë e thotë neni 39/10, troç e shqip shqip. Pra, Ligji nuk parashikon asnjë komandim dhe asnjë ekzekutim shkarkimi, pa fjalën e Presidentit.

Por Shahini ecën në gjurmët e urdhërat e Ramës. E të dy përfitojnë nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. I duket Ligji si letra e munguar higjenike e Ministrisë së Arsimit. Por, së shpejti do përfundojnë vetë si të tillë!” shkruan Boçi në reagimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb