TIRANE- Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi portalin online “Shkolla Qendër Komunitare”, një platformë që vihet në shërbim të shkollave dhe komunitetit, duke krijuar një bazë të dhënash të këtyre shkollave, nevojat që ato kanë, projektet e reja, promovimit të tyre ndaj publikut dhe biznesit, si dhe një forum ku shkëmbehen ide dhe projekte gjithëpërfshirëse.

Gjatë aktivitetit sot, në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi se shkollat dhe qendra komunitare kanë krijuar një realitet të ri në atë çka ndodh sot, gjatë orës së mësimit, në korridoret e shkollës dhe në komunitetin rrethues.

“Portali që prezantojmë sot, është një instrument tjetër për t’i bërë shkollat më të hapura ndaj komunitetit, për ta bërë punën e çdo mësuesi më të matshme, për t’i bërë nxënësit më konkurrues, etj. Ky instrument i ri, së bashku me kartën e performancës, do të mundësojë që shkollat të jenë nën vëzhgimin e prindërve, të komunitetit dhe ajo që është më e rëndësishme, duke i bërë arritjet e matshme të mund të orientojmë ndihmën specifike drejt shkollave si dhe për herë të parë mundësohet rankimi i shkollave”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit shtoi se nga 60 shkolla qendra komunitare që ishin në fillim, sot janë 184, ndërkohë që në harkun e dy viteve të ardhshme pritet të bëhen 350 të tilla.

“Kemi mundësuar një kthesë të rëndësishme duke e vendosur fokusin në cilësinë e formimit të nxënësve, një kthesë të rëndësishme duke i bërë shkollat më transparente dhe duke i bërë prindërit pjesë të rëndësishme të proceseve vendimmarrëse të shkollës. Në këtë mënyrë, përmes shkollës mundësojmë që proceset që formojnë qytetarët e së nesërmes të jenë më të qëndrueshme”, tha ministrja Nikolla.

Për herë të parë, në bashkëpunim me partnerët si “Save the Children”, “Unicef”, “Ëorld Vision”, dhe donatorë të tjerë nga sektori privat u organizua “Panairin e ideve” të shkollave si qendër komunitare, me prezencën e mbi 45 shkollave nga të gjitha qarqet e vendit, ku u prezantuan të gjithë projekt-idetë e nxënësve.

Vetëm nëpërmjet këtij panairi, u mundësua që përmes mbështetjes për financimin e këtyre projekteve të përftoheshin më shumë se 50 mijë euro, për realizimin e projekteve. Tashmë janë realizuar projektet, “e-radio” në shkollën “Muhamer Janina” Berat, “e-education” në shkollën “Vasil Sota” në Fier si dhe fillojnë zbatimin projektet: “Mjedise të gjelbra” në shkollën “Bajram Curri” në Durrës, “Shkolla e hapur ndaj komunitetit” në shkollën “Çajupi”, Tiranë dhe dy projekte të tjera në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës.

Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja falënderoi partnerët dhe donatorët e sektorit privat për mbështetjen që i kanë dhënë jetësimit të projekteve të nxënësve, duke ndryshuar cilësinë e jetës së shkollave e duke mundësuar qytetarë të suksesshëm të së nesërmes.

“Shkolla qendër komunitare” është një qasje për ta kthyer shkollën në vendin ku ndërtohet partneriteti shkollë-familje-komunitet dhe bashkëpunohet për zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi. Shkolla qendër komunitare është shkolla që angazhohet në mënyrë aktive në konsolidimin e njohurive dhe në formimin e personalitetit të nxënësit përmes artit, kulturës dhe sportit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb