NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Vonesat e pagave të mësuesve në disa Drejtori Arsimore, prej më shumë se një jave, nuk kanë ardhur për mungesë fondesh”. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Arsimit dhe Sportit. Sipas MAS-it, fondi i pagave dhe i kontributeve është plotësisht i mbuluar me buxhet për çdo DAR/ZA për të përballuar pagat dhe sigurimet e muajit nëntor. Në deklaratën e tyre nisur në “GSH”, MAS sqaron se vonesat për këtë muaj janë shkaktuar edhe nga fakti se nga Ministria e Financave këtë muaj është kërkuar që pagat të kalojnë detyrimisht me sigurimet shoqërore, gjë e cila nuk ka qenë e detyrueshme në muajt e mëparshëm.

Arsimtarët që ende nuk i kanë marrë pagat janë ata të Shkodrës, që pritet t’i marrin brenda kësaj jave, si dhe të Vlorës, që do t’u kalojnë në llogaritë e tyre bankare sot paradite. Ndërsa Drejtoria Arsimore e Fierit dhe Dega e Thesarit Fier, kanë bërë të ditur se pagat e mësuesve të arsimit parashkollor kanë kaluar në datën 7 dhjetor. Ndërkohë që, sa i përket shpërblimit për festat e fundvitit, ende nuk ka asnjë informacion nëse mësuesit do të përfitojnë.

Vonesat
Një ditë më parë “GSH” ka publikuar një shkrim në lidhje me ankesat e mësuesve, të cilët u janë vonuar pagat e muajit nëntor. Gjë kjo që nuk ndodh për herë të parë, pasi edhe pagat e tetorit, mbi 35 mijë arsimtarë i kanë marrë rreth datës 9 nëntor. Por, sipas Ministrisë së Arsimit, pagat e punonjësve paguhen sipas datave që kanë çdo muaj Degët e Thesarit në Rrethe; nëse një nga këto data ka qenë ditë e diel apo ditë pushimi, ato kalojnë automatikisht ditën e parë të punës. Veç kësaj, MAS-i argumenton se këtë muaj vonesa është shkaktuar edhe nga fakti se nga Financat është kërkuar që pagat të kalojnë detyrimisht me sigurimet shoqërore, gjë e cila nuk ka qenë e detyrueshme në muajt e mëparshëm.

“Me buxhetin e pagave të mësuesve nuk ka asnjë problem, pasi fondi i pagave dhe i kontributeve është plotësisht i mbuluar me buxhet për çdo DAR/ZA për të përballuar pagat dhe sigurimet e muajit nëntor. Aty ku ka pasur vonesa, kanë qenë për shkak të procedurave të Thesarit”, njofton Ministria e Arsimit. Po ashtu, sipas MAS-it, Drejtoria Arsimore e Vlorës dhe e Fierit i kanë kaluar pagat në datën 07.12.2015, po ashtu edhe Fieri. Ndërsa Shkodra do t’i kalojë në datën 10.12.2015 2015, pasi data 10 e çdo muaji është data e pagesës së pagave në DAR Shkodër.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: