Me sa duket Shqipëria do të ketë një verë të nxehtë me disa valë të të nxehtit afrikan. Kështu tha sinoptikania Adiola Bami në një lidhje ‘skype’ me News24 duke folur për motin e çuditshëm prej dy ditësh në Tiranë dhe në vend, me erë të fortë, pa diell dhe me temperatura të larta.

“Kemi pasur jo vetëm temperatura të larta por edhe erë të fortë në territor. Intensiteti i saj do fillojë duke rënë sot gjatë pasdites jo vetëm në territor por dhe në det të hapur. Era nga drejtimi jugor paraqitet problematike. Kemi qarkullim të masave ajrore nga veriu i Afrikës që sjellin jo vetëm temperatura të larta, lagështi në ajër por edhe intensitet të erës. Temperaturat do të mbeten të larta. Edhe e shtuna dhe e diela do të vijojë më temperatura të larta.
Kjo situatë do vijojë deri ditën e martë. Të mërkurën do kemi freskim të motit ku temperaturat do shkojnë deri në 28 gradë dhe do ketë reshje”, tha Bami, raporton “BalkanWeb”.

Ajo shpjegoi më tej se nuk janë temperatura normale për këtë periudhë, pasi janë temperatura të stinës së verës.
“Temperaturat janë 10 gradë më të larta se normalja për muajin maj. Stinën e verës po e përjetojmë dhe në pranverë. Parashikohet që vera të jetë e nxehtë pasi parashikohen disa valë të të nxehtit afrikan. Muaji maj nëse e krahasojmë me majin e 2019 kemi prezencë të pakët të reshjeve. Majin e vitit të kaluar ka pasur 2-fishin e reshjeve. Në qershor do të ketë reshje më të dukshme. Ndërsa korriku dhe gushti parashikohet të kenë shumë pak reshje”, tha Bami.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb