Nga: SPARTAK KOKA

TIRANE– “Të Fortët”, pronarë të makinave të shtrenjta, mbajnë kryesisht targa me tre numra të njëjtë, “AA 555 ..”, “AA 888 ..”, por në disa raste ata bëhen edhe si “agjentë sekretë” me targa “AA 007 ..”, “AA 001 ..”. Ata mblidhen në Tiranë nga shumë qytete të vendit, disa të tjerë janë banues rishtaz të kryeqytetit. Arsyet pse mbajnë targa me tre numra të njëjtë, janë të shumta, por dominantja është ajo e të “rënit në sy”.

Në jo pak raste, për t’u dukur më shumë në sy të të tjerëve ata bëjnë gara ilegale shpejtësie, në rrugë kryesore të Tiranës, por nuk përjashtohen dhe rrugët dytësore.

Më të spikaturat janë Sheshi “Nënë Tereza”, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Blv. “Gjergj Fishta”, apo Blv “Bajram Curri”.

Qytetarët së fundmi kanë ngritur shqetësimin për këto gara ilegale shpejtësie tek komisariati i Policisë Rrugore. Në ankesat e tyre shprehen se shpejtësia e këtyre mjeteve tej normave të lejuara është një rrezik potencial për jetën e çdo kalimtari.

Nga ana tjetër një tjetër fenomen shqetësues vihet re në kryqëzimet e kryeqytetit.

“Të fortët” nuk respektojnë këmbësorët, ata nuk pyesin fare nëse janë të detyruar sipas Kodit Rrugor të respektojnë këmbësorët në vendkalimet e tyre ose jo, ata thjesht shtojnë gazin.

“Të fortët” kanë dhe një problem tjetër, ata pavarësisht gjobave të shumta për “parkim dysh”, apo parkim të gabuar, janë debitorët që për nga numri i gjobave janë në top listë.

Për t’iu përgjigjur këtyre problematikave dhe shqetësimeve të qytetarëve, Policia Rrugore e Tiranës, ka hartuar ditët e fundit një plan masash me objekt kryesor ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që shkelin dispozitat e parashikuara në Kodin Rrugor.
Më konkretisht në nenet 139 paragrafi 5 (gara me shpejtësi), neni 189 paragrafi 1 (dhënie përparësie këmbësorëve), neni 203 paragrafi 1 (mjete debitore).

Brenda 48 orëve të fundit disa prej “të fortëve” për këto shkelje rrugore janë konstatuar dhe proceduar administrativisht.

Aktualisht komisariati rrugor i kryeqytetit, në oborrin e tij, të krijon përshtypjen e një vitrine të modeleve luksoze të automjeteve për shkak të makinave në pronësi të “të fortëve” të proceduar.

Në këtë oborr të komisariatit, mund të gjesh që nga “Ferrari”, “Porsche”, “Volswagen Phaeton”, “Audi”, “Benz”, dhe të gjitha prodhim i viteve 2010-2015.

Këto mjete janë konstatuar me shkelje si për gara ilegale sportive, ashtu dhe për mosshlyerje të gjobave.

Legjislacioni në fuqi dhe sanksionet përkatëse

Kodi penal

NENI 139 SHPEJTESIA

5. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të bëjë garë në shpejtësi.

8. Cilido që shkel dispozitat e pikës 3 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

NENI 189
SJELLJA E DREJTUESVE TE MJETEVE NDAJ KEMBESOREVE

1. Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t’i japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore.

Drejtuesit e mjeteve që kthehen për t’u futur në një rrugë tjetër, në hyrjen e së cilës gjendet një vendkalim
këmbësorësh, duhet t’u japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar,
këmbësorëve që kalojnë në vendkapercimet këmbësore, kur atyre nuk u është ndaluar kalimi.

Cilido që shkel dispozitat e neneve 188 dhe 189, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.

NENI 203
VJELJA E GJOBAVE ADMINISTRATIVE

1. Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb