Programi ekomomik i Partisë Demokratike me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit ka në fokus të tij familjen.

Gjatë fjalës së tij, Alfred Rrushaj tha se së paku 20 mijë familje të reja që do të përfitojnë nga programi i strehimit, ndërsa theksoi se për 5 vitet e para të jetës së një fëmije, shteti do të japë 3 mijë lekë të vjetra në muaj.

Ndër të tjera në programin e PD-së ishte dhe paga e mjekëve dhe infermierëve, ndërsa premtohet se paga e mjekëve do të jetë 1200 mijë euro dhe ajo e infermierëve 700.

“Programi i Partisë Demokratike ka në qendër të tij FAMILJEN dhe Ekonominë Familjare. Për herë të parë një parti politike i jep prioritet masave që kanë vetëm një qëllim; rritjen e mirëqënies së familjes.
Investimi kryesor i një familje të re, është strehimi i cili është kthyer në pamundësi për shumë shqiptare që po largohen. Prandaj do te jemi në krah të familjeve të reja; do të financojmë 100% interesat e kredive që të rinjtë do të marrin për të blerë shtëpinë e tyre. Do të jenë së paku 20 mijë familje të reja që do të përfitojnë nga kjo masë. Jo vetëm kaq, por ne jemi largpamës e do marrim masa që Shqipëria të mos plaket. Për këtë arsye ne do mbështesim me të gjithë mënyrat familjet dhe prindërit që lindin fëmijë. Për çdo fëmijë të lindur, ne do të japim 3 mijë lekë në muaj për 5 vite. Rreth 30 mijë familjeve të reja do tu gjendemi në krah me këtë masë.

Shqetësimi i çdo prindi, është arsimimi i fëmijëve dhe cilësia e këtij arsimimi. Familjet shqiptare sakrifikojnë çdo gjë për të arsimuar fëmijët e tyre. Të rinj që shkëlqejmë nëpër botë nëse i’u jepet mundësia të shpalosin talentin, këtu ua kanë bllokuar mundësitë. Këtë duhet ta ndryshojmë dhe e kemi vetë në dorë. Prandaj rreth 90 % e studenteve do të mbështeten financiarisht nga qeveria për të paguar tarifat e arsimit. Por ne nuk mund ta rrisim cilësinë e arsimit nëse nuk rrisim vlerësimin e punës së arsimtarëve. Prandaj pagat e tyre do t’i rrisim me 60%. Ky plan do të prekë familjet e së paku 36 mijë arsimtarë të cilët do të jenë më të motivuar në punën e tyre, si dhe çdo familje shqiptare që ka fëmijët në shkollë. Pas dështimeve të njëpasnjëshme të Ramës për 8 vjet me radhë, nuk ke ç’pret më prej tij. Rama ka shkatërruar ekonominë tonë, ka rritur papunësinë dhe koston e jetesës. Pjesën më të madhe të të ardhurave familjet shqiptare e shpenzojnë për mbijetese. Kostoja po rritet çdo ditë më shumë. Qeveria ka rritur kostot e ushqimeve, kostot e energjisë, kostot e karburantit, i ka detyruar familjet shqiptare që të paguajnë më shumë për edukimin e fëmijëve të tyre, u ka rritur kostot për shëndetësinë.

Rama i ka harruar njerëzit. Ministrat e tij trefishojnë pasuritë e tyre, ndërsa ekonomia e Shqipërisë shkatërrohet. Ata bëjnë pazare me mafien, në vend që të sjellin investues me vende pune për shqiptarët. Hanë vakte luksoze në Dubai, ndërsa vendi është nën ujë. Gjatë muajve të fundit kemi punuar bashkë me Lulzim Bashën të krijonim një plan pune, që ta vëmë në zbatim për të ndryshuar jetën e secilit prej jush. Ne kemi një plan të qartë, jo premtime boshe, as përralla para fushatës, por veprime konkrete që do kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e çdo familje shqiptare. Nga ulja e tatimit mbi të ardhurat nga paga, dhe ulja e sigurimeve shoqërore do të përfitojë çdo person i punësuar. Të gjithë do kenë mundësi të çojnë më shumë para në shtëpitë e tyre. Do ulim çmimin e energjisë për konsumin deri në 300 kËh dhe një familje e thjeshtë do kursejë rreth 8500 lekë në vit. Kjo masë do të lehtësojë ndjeshëm shpenzimet e së paku 710 mijë familjeve.

Një fokus të veçante do ketë edhe shtresa e mesme. Të punësuarit me pagë mbi 60 mijë lekë do të përfitojnë thuajse një gjysmë page shtesë nga ulja e tatimeve. Në këtë mënyrë do i japim fund barrës së rëndë të taksimit që qeveria iu ka vënë njerëzve më të talentuar, të kualifikuar apo më të suksesshëm në vend. Për NE me rëndësi të madhe është respekti për të moshuarit dhe nevoja për solidaritetin mes brezave. Prandaj do të rrisim çdo vit pensionet për rreth 650 mijë pensionistë, sa dyfishi i inflacionit vjetor, por në çdo rast jo me pak se 5% ne vit. Ne do bëjmë çmos që ata të trajtohen me sa më shumë dinjitet e konsideratë për kontributin e çmuar që kanë dhënë për Shqipërinë. Por njëherazi qeveria e Partisë Demokratike kurrsesi nuk nuk do të lere anash më nevojtarët. Sepse do te dyfishojmë ndihmën ekonomike për 60 – 70 mijë familje.

Partia Demokratike vlerëson shume punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të punonjësve shëndetësor, te cilët jane lënë në kushte të vështira. Prandaj ne do të bëjmë të pamundurën që mjekëve dhe infermiereve t’ju japim dinjitetin që meritojnë. Paga e një mjeku do të shkojë 1200 Euro dhe paga e infermierëve do të shkojë në 700 Euro. Janë 4500 mjekë dhe 14 mijë infermierë. Këto janë vetëm disa prej përfitimeve të drejtpërdrejta që do të kenë qytetarët falë modelit të ri të qeverisjes që ne do të aplikojmë. Ka ardhur koha të ndryshojmë. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për familjet shqiptare dhe jo vetem per interesin e vet. Prandaj eshte koha për te votuar LB dhe PD, është koha që Shqipëria të fitojë”, tha Rrushaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: