NGA MARSELA KARAPANÇO*

Nuk duhen shumë kërkime në kujtesë për të sjellë në vëmendje përmbytjet e ndodhura në dimrin e 2010-ës, ku me mijëra hektarë tokë u mbuluan nga uji, duke e kthyer kryeqendrën e veriut në Venecia të dytë. Situata e sotme nuk garanton aspak që ky dimër që do trokasë shumë shpejt, nuk mund të sjellë përsëritjen e së njëjtës situatë. Gjatë turit studimor që një grup gazetarësh zhvilloi me mbështetjen e OSBE-së në të dyja vendet që lagen nga Liqeni i Shkodrës, eksperti i emergjencave Pëllumb Dani shpjegon se përpos natyrës që sjell reshje të shumta, dora e njeriut nuk kontribuon aspak në mirëmbajtjen e këtyre resurseve, përkundrazi, e ka dëmtuar atë.

E teksa Dani shpjegonte emergjencat, pas shpinës së tij, disa ekskavatorë vijonin gërmimet mbi lumë, të pa frikësuar nga forca e ligjit mbi paligjshmërinë.

Por çfarë do ta shpëtonte Shkodrën nga përmbytjet?

Zilja e alarmit bie për ndotjen e Liqenit të Shkodrës… Shishe plastike, kanoçe, qese plastmasi, jashtëqitje lopësh, qenë që freskohen buzë bregut, peshq të ngordhur që vegjetojnë mbi liqen, e deri te barishtet e egra që shëmtojnë çdo pëllëmbë të sipërfaqes ujore… Kjo është panorama që të rrok syri gjatë lundrimit mbi liqen. Sigurisht nuk duhet harruar, që i gjithë qyteti, përveç lagjes së Shirokës, që ka impiantin e ujërave të zeza, i derdh ato në liqen. E doemos, bashkia është kujdesur që në këtë liqen, që duhet të trajtohej si një mrekulli natyrore, por që fatkeqësisht më shume ka pamjen e një kënete, të vendose një tabelë ku ndalon larjen në ujin e liqenit. Në vëzhgimin tonë, kamera rrallë e përmall kap tek-tuk ndonjë person që kërkon të freskohet në këto ditë tejet të nxehta shtatori.

***

Në udhëtimin tonë, na bashkëshoqëronin edhe deputetët Irma Kopliku dhe Besnik Bare. Anëtarët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese shprehen se duhet një bashkëveprim më i mirë mes pushtetit lokal dhe atij qendror për zgjidhjen e problemit, ndaj edhe shqetësimin e tyre për ndotjen që i është bërë liqenit, do ta transferojnë edhe në kuvend.

OSBE-ja zhvilloi një tur të përbashkët me gazetarë në Liqenin e Shkodrës, një aktivitet ndërkufitar që synon të rrisë mirëkuptimin dhe punën e përbashkët të vendeve fqinje Shqipërisë – Malit të Zi, për zgjidhjen e problemeve madhore ekologjike që lidhen me Liqenin e Shkodrës, këtë vlerë të përbashkët natyrore. Zëvendës ambasadori Robert Willton deklaroi se bashkëpunimi është çelësi i suksesit.

E pranishme në tryezën e diskutimit mbi problematikat e Liqenit të Shkodrës organizuar nga OSBE – ja, ishte edhe qytetarja e parë e Shkodrës, znj.Voltana Ademi. Edhe pse ka pak kohë që ka marrë timonin e bashkisë, ajo është në dijeni të ndotjes së madhe që mbart liqeni i Shkodrës. Madje një përgjegjësi e hedh edhe për palën malazeze. Ndërsa për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza, Ademi kërkon bashkëpunimin e qeverisë, pasi vetë bashkia nuk mund të përballojë me fondin e saj projekte kaq shumë të kushtueshme.

Natyrshëm mes kolegësh ngritëm supet për këtë ndryshim kaq të dukshëm të ekosistemit në dy brigjet e Liqenit të Shkodrës. Kontrasti nuk ka nevojë për fjalë… Pjesa malazeze e liqenit të shfaqte përpara syve një ujë jeshil, të kthjellët, tmerrësisht të pastër, me plot zambakë uji e rosa që laheshin në të, e pa diskutim një botë të pasur nënujore.

Por nuk është vetëm Shqipëria ajo që ka përgjegjësitë e saj për ndotjen e Liqenit të Shkodrës, pasi ky liqen kërkon marrjen e masave të përbashkëta për shpëtimin e tij.

**

Në afërsi të liqenit, qëndron prej dekadash Kombinati i Aluminit të Malit të Zi, mbetjet helmuese të së cilit derdhen në Liqenin e Shkodrës.

Kombinati i Aluminit, si një teknologji e ndotur, është e qartë që ndikon negativisht në tokë, ujë e ajër. Në këtë grumbullim ka rreth 7.5 mln tonë llum helmues, që nga viti 1969. Kombinati si një fabrikë me depozitim të llumit të kuq, është një nga 5 pikat e zeza ekologjike të Malit të Zi. Njihet si një problem i madh prej kohësh. Siç e shihni, ky ambient nuk ka fare ekosistem, vetëm zogj shtegtare. Kjo është dëshmia më e mirë për të kuptuar ndikimin e Kombinatit të Aluminit.

Por si ky kombinat që ndodhet rreth 10 km larg Liqenit të Shkodrës, arrin që me mbetjet e tij të kontaminoje ujërat e liqenit?

Janë dy basene me llum të kuq. Njëri prej tyre nuk ka membranë hermetike në dyshemenë e tij për të mos lejuar rrjedhjen e ujërave. Duke qenë se kjo zonë është e pasur me ujëra nëntokësore, që janë të lidhur me Liqenin e Shkodrës, rreziku i transfuzionit të substancave helmuese bëhet potencial. Ajo që është më e theksuar këtu, është përqendrimi i madh i metaleve të rënda dhe aciditetit të tokës. Problem të madh përbën edhe pluhuri, që shpërndahet shumë kollaj sepse këtu është qendra e “Trëndafilit të Erërave”. Ky pluhur ka një ndikim shumë negativ në këtë vendbanim.

Eksperti malazez na sqaron se prej kohësh kjo zonë është privatizuar nga një kompani private, e cila kërkon të shfrytëzojë llumin e ngurtë për ndërtim.

Llumi  i kuq ndahet në pjesën e ngurtë dhe të lëngët. Pjesa e ngurtë është e parrezikshme, kurse në pjesën e lëngshme kemi natrium hidroksid, që përdoret në prodhimin e sapunit, është një mbetje e rrezikshme. Ndërsa pjesa e ngurtë mund të përdoret për ndërtim. Dhe ky është qëllimi i firmës që ka bërë privatizimin e këtij kombinati.

Po duke marrë parasysh që ekzekutimi i florës e faunës në Liqenin e Shkodrës degradohet gjithmonë e më shumë,  kjo fabrikë do të ishte më mirë të mbyllej, shprehet eksperti, duke qenë se Mali i Zi nuk ka asnjë përfitim ekonomik.

Që në fillim të 2014-ës është publikuar një studim i një portali që merret me studimet në këtë sektor, ku e shpall të gjithë kompleksin e kombinatit si të paleverdishëm, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana ekologjike. Kur ishte pronë publike, ka pasur mbështetje nga shteti për energjinë elektrike, që është shumë e rëndësishme në linjën e prodhimit të këtij kombinati.

Masakra mjedisore që po ndodh në Liqenin e Shkodrës nuk është vetëm fizike, por prek drejtpërsëdrejti çdo njërin prej nesh. Çdo kush që guxon të hajë një peshk të ndalur në rrjetat e peshkatarëve të Liqenit të Shkodrës, duhet të mendohet mirë, pasi në organizmin e tij po fut edhe substanca helmuese, që përkeqësojnë seriozisht shëndetin tonë.

“Thënë të gjitha këto, kambana e alarmit sa vjen e bie më e fortë. OSBE-ja nëpërmjet këtij turi studimor, na ndihmoi të kuptojmë gjendjen reale në të cilën ndodhet Liqeni i Shkodrës, kur ndërkohë duhet të jenë autoritetet shqiptare ato që duhet të ishin shqetësuar të parat. E meqenëse një skandal i tillë i helmeve në liqen bëhet në ditën me diell, është koha që shteti të bëjë detyrën e tij dhe të shpëtojë këtë mrekulli që na ka falur natyra, nga duart e liga të njeriut”, thotë Bare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb