Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Londër, ku një i moshuar teksa po lëvizte me skuter është qëlluar me thikë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Thomas O’Halloran, i përshkruar nga fqinjët si një njeri që “gjithmonë buzëqeshte”, u sulmua në Greenford, në perëndim të Londrës, ditën e djeshme rreth orës 16:00. Mësohet se i moshuari ishte një njeri dashamirës, që i ka ardhur në ndihmë refugjatëve ukrainas duke mbledhur para dhe ndihma për ta.

Ai u shpall i vdekur në vendngjarje, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën. Viktima u identifikua ditën e sotme, teksa banorët thanë se e kishin parë të rrethuar nga një grup të rinjsh para se të vritej. Frasley Coutinho, i cili jeton pranë vendit të ngjarjes, tha se: “Pashë disa njerëz që mblidheshin rreth tij dhe më pas ai kaloi me skuter, ndaloi më lart dhe u rrethua nga një grup djemsh të rinj”.

Banorët e tjerë thanë se O’Halloran i binte shpesh fizarmonikës për të mbledhur fonde në mbështetje të ukrainasve. Hitesh Patel, 62 vjeç, një pronar dyqani në stacionin Greenford aty pranë, tha për Evening Standard se: “Ai gjithmonë kishte një flamur të Ukrainës në pjesën e përparme të shportës së tij. Aty thuhej “Ndihmë për Ukrainën”. Ai ishte një njeri shumë i mirë, i sjellshëm.”. Nuk ka pasur të arrestuar, por oficerët po hetojnë për vrasjen, e cila ndodhi në një zonë të qetë të Greenford, në perëndim të Londrës dhe kanë bërë thirrje që dëshmitarët të japin detaje rreth asaj që panë në çastin e krimit. Autoritetet po punojnë për të informuar të afërmit e të ndjerit.

Sadiq Khan, kryebashkiaku i Londrës, tha se ishte “i shkatërruar” nga lajmi dhe bëri me dije se po fliste me Policinë Metropolitane, për të shtuar sigurinë në zonë. Kjo është vrasja e 58-të që raportohet në Londër këtë vit dhe mendohet se kjo është vrasja e gjashtë në kryeqytet në katër ditët e fundit. Pas denoncimit të krimit policia mbërriti në vendngjarje së bashku me një ambulancë për t’i dhënë ndihmën e parë të moshuarit, por fatkeqësisht ai nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra.

Kësisoj, mbrëmë forcat e policisë rrethuan një kryqëzim T midis Cayton Road dhe Runnymede Gardens, ku kanë qëndruar gjatë gjithë natës.
Simran Advani, 25 vjeç, një menaxher prone që jeton pranë zonës ku u krye vrasja, tha se ajo shihte shpesh një burrë të moshuar teksa lëvizte me skuter. “Ai gjithmonë buzëqeshte, ishte një plak i mirë”, tha ajo. “Kjo është një zonë shumë e qetë, nuk dëgjon kurrë zhurmë në këtë rrugë. Është e frikshme që një burrë në të 80-at të vritet këtu. Shumica e njerëzve në këtë rrugë janë të moshuar, nuk dëgjon asnjë zhurmë dhe nuk shikon kurrë të rinj”. Khan shkroi në Twitter: “Jam i shkatërruar që një i moshuar u vra në një sulm të tmerrshëm këtë mbrëmje. Ngushëllime të sinqerta për të afërmit e viktimës. Jam në kontakt të ngushtë me Policinë e Met që ka një prezencë shtesë të uniformuar në zonë. I bëj thirrje kujtdo që ka informacion të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.”.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon ndihmësmjekët që vrapojnë drejt vendit të ngjarjes, i cili ishte rrethuar nga policia. Në përgjigje të videos, një tjetër përdorues i Twitter ndau fotografi të zonës së rrethuar në orën 18:39. Kryeinspektori i detektivit Jim Eastwood, i komandës së specializuar të krimit të Met, tha: “Oficerët e mi po punojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këtë njeri dhe ne kemi nevojë për ndihmën e dëshmitarëve okularë.

“Unë po kërkoj që kushdo që ka filmime me kamerë të na kontaktojë nëse për të zbuluar identitetin e agresorëve”. “Viktima ishte duke lëvizur me një skuter, në atë moment. Nëse e keni parë viktimën ose keni pikasur dikë që vepron në mënyrë të dyshimtë në zonë, është e domosdoshme që të kontaktoni”, tha Eastwood.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: