Ish-ministri Aredin Shyti, ka publikuar një libër me kujtime, ku për herë të parë pas 30 vitesh, mban qëndrim publik për ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër.

Botimi sjell rrëfimin e tij për kohën kur ishte ministër, zëvendës ministër, për kohën kur ishte në burgun e Bënçës, i dënuar për protestën paszgjedhore që njihet si masakra e 2 prillit ku u vranë 4 veta.

Pas 3 dekadash, ish-zëvendës ministri mohon të ketë përgjegjësi për ngjarjen dhe thotë se viktimave nuk iu bë ekspertizë.

“I gjithë libri ka dy boshte kryesore. E para është ngjarja e 2 prillit në Shkodër dhe pjesa e dytë lidhet me të ashtuquajturën “Organizata Hakmarrja për drejtësi” që u shpall si organizatë e krijuar nga djemtë e tij. Ai e quan veten dorëjashtë. Edhe sot e kësaj dite, 30 vite pas ngjarjes ne nuk kemi njerëz konkretë që të jenë identifikuar si autorë të vrasjes së 4 të rinjve në Shkodër. Pse nuk u lejua të bëhej ekspertiza? Në libër sqarohet se këto ngjarje janë të lidhura dhe shpjegohen me luftën në pushtet në Shqipëri në atë kohë”, tha botuesi Naim Zoto.

Shyti kundërshton akuzat ndaj dy djemve të tij, Leart dhe Orik Shyti, si krijues të “Organizatës Hakmarrja për drejtësi”
“Organizata ‘Hakmarrja për drejtësi’, ka qenë një sajesë. Fakti është që fituan pafajësinë”, tha Zoto.

Për Shytin djegia e Gjykatës së Shkodrës ku ruhej dosja e 2 prillit është domethënëse, ndërsa në libër, ai ndalet te raportet e përshtypjet për Ali Spahinë, Pjetër Arbnorin, Neritan Cekën, Sali Berishën, Ramiz Alinë, Gramoz Ruçin etj. Aredin Shyti thotë në libër se djemtë u akuzuan për shkak të babait, ndërsa duket se nuk ka pengje.

“Të vetmen ndjesë që kërkon Aredin Shyti është ndaj familjes së të vrarëve që nuk arritën të gjejnë vrasësit e vërtetë dhe kjo është brenda te ndjesa e autori të librit”, shprehet Zoto.

Qëndrimi i tij në burg përkoi më kohën kur ish-byroja politike shkoi nga blloku në burg, deri më 1997 kur dolën të gjithë. Autori thotë se Sali Berisha e personalizoi konfliktin, duke kaluar deri te familja e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb