Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë ka mbetur një enigmë në lidhje me motivin dhe numrin e të vrarëve. Historiografia shqiptare ende debaton në lidhje me këtë ngjarje, teksa në ndihmë vjen edhe dokumentacioni britanik i kohës për motivin dhe realitetin politik të atyre ditëve të para të shkurtit, 1944.
Në një volum të dokumentacionit britanik në librin Sekretet e Luftës, zbardhet motivi dhe numri real i të vrarëve në “Masakrën e 4 shkurtit”. Në dosjen me kod HS 5/96, të Inteligjencës ushtarake të SOE, ka edhe një paragraf për ngjarjen e 4 shkurtit. Ndërkohë, për herë të parë zbardhen edhe lajmet në Radio Tirana, të cilat zbardheshin nga inteligjenca britanike. Në përshkrimin e situatës politike dhe ushtarake, agjentët britanikë kanë dokumentuar motivin e masakrës.
“Në datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur për jetën e Xhafer Devës, Ministër i Brendshëm dhe një kolaboracionist i njohur.
“60 partizanë nga burgu i Tiranës janë masakruar si reprezalje”, thuhet në dokumentin britanik. Ky informacion britanik duket se përputhet edhe me deklaratat në kujtimet e të dërguarit fuqiplotë të Hitlerit në Shqipëri, Herman Nojenbaher.
Sipas tij, Ministrit të Brendshëm iu bë një atentat dhe një person i afërm dhe shoqëruesi i tij mbetën të vdekur. “Si personalitet antipod me Mehdi Beun, në qeveri, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, shënohej nga komunistët si armik i përbetuar. Mbeti i paplagosur nga një atentat, viktimë e të cilit pat rënë vetëm adjutanti i tij”, ka deklaruar Nojenbaher.
Ky atentat duket se ka qenë motivi kryesor për ngjarjen e rëndë të 4 shkurtit, kur vendi ndodhej në një nga kulmet e luftës civile. Ndonëse Xhafer Deva tentoi ta mbajë të fshehur faktin që atij iu bë një atentat, masakra u nxit edhe nga situata politike.
Nëse i referohemi dokumentacionit britanik, edhe pse qeveria shqiptare ishte në kulmin e pushtetit të saj, pas Operacionit të Dimrit, krerët komunistë dhe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare ndodheshin mjaft afër Tiranës dhe larg maleve, për t’u mbrojtur, mesa duket nga dimri dhe ndjekja gjermane.
Por, pavarësisht kësaj situate të favorshme për qeverinë shqiptare, kryerja e atentatit ndaj Ministrit të fuqishëm të qeverisë së Rexhep Mitrovicës, ishte një goditje e rëndë për autoritetin e saj.
Radio Tirana ka qenë media më aktive në Shqipëri në kohën e luftës, megjithëse raportimet e saj nuk janë ruajtur. Por Inteligjenca britanike ka mbajtur shënim çdo lajm të Radio Tiranës dhe e ka ruajtur informacionin. Kështu, çuditërisht, mungon një transmetim në datën 4 shkurt në ditën e ngjarjes. Qeveria e Tiranës, me përjashtim të Xhaver Devës, ishte e shokuar dhe e papërgatitur për reprezaljen dhe ky duhet motivi i heshtjes në Radio Tirana. Por, në datat 2, 3, 5 dhe 7 shkurt 1944, ndonëse të vrarët nuk përmenden, ka një gjuhë tepër të ashpër nga qeveria e Tiranës.
Por, një ditë më pas, në datën 5 shkurt, ka një raportim interesant pas masakrës. Prefektura e Tiranës lajmëroi të gjithë qytetarët për t’u paraqitur në qendrat e xhandarmërisë, për të regjistruar identitetin e tyre. Ky raportim hedh dritë mbi faktin se numri i të vrarëve nuk dihej dhe me këtë rast Prefektura dhe shërbimi i Xhandarmërisë do të kryente kontroll dhe do të shënonte edhe personat që mund të konsideroheshin si të vrarë.
Në datën 7 shkurt, Radio Tirana lajmëroi se çdo shqiptar që mbështet komunistët dhe bashkohet me ta, rrezikon internimin e familjeve të tyre. Me sa dukej, lufta kundër njëri-tjetrit ishte në kulmin e saj. Edhe gazeta zyrtare e kohës, “Bashkimi i Kombit”, doli me një titull të fortë, si “gjaku don gjak”. Nga ana tjetër, në dokumentacionin e Prokurorisë së kohës janë regjistruar 13 viktima. Ky dokumentacion i rrallë hedh dritë në lidhje me motivin e të vrarëve më 4 shkurt, se vrasja e tyre ishte pjesë e një hakmarrjeje politike dhe që lufta civile ishte në një nga kulmet e saj. Kjo ngjarje e rëndë nuk ishte një rast i shkëputur, por pasojë e situatës së rëndë politike dhe luftës civile mes shqiptarëve.
Ngjarja e 4 shkurtit prodhoi edhe lëvizje interesante mes kabinetit. Shumë prej tyre nuk ishin dakord me hakmarrjen e Devës, duke e cilësuar si të tepruar. Konflikti i Xhaferr Devës me kreun e Regjencës, Mehdi Frashëri, dukej se tashmë kishte nisur hapur. Ky konflikt përfundoi në përçarjen e tyre dhe në largimin nga qeveria të Xhaferr Devës, ndonëse ai ishte i preferuari i gjermanëve.
Dosja HS 5/96
Ref B8/1/PL/281
17 shkurt 1944
Tepër sekrete
Situata në Shqipëri
Partizanët vazhdojnë të tregojnë shenja aktiviteti në zonën e Tiranës, ku besohet se ndodhet Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur për jetën e Xhaferr Devës, Ministër i Brendshëm dhe një kolaboracionist i njohur. 60 partizanë nga burgu i Tiranës thuhet se janë masakruar si reprezalje.
Radio Tirana: 2 shkurt, 1944
Prefektura e Tiranës lajmëroi çmimet përkatëse për artikujt në vijim. Departamenti i Tregtisë ka shpërndarë një dokument për të gjitha prefekturat, duke bërë me dije se të gjithë tregtarët duhet të kenë çdo transaksion të dokumentuar dhe, në rast kontrolli, ata duhet të jenë në gjendje të tregojnë të gjitha dokumentet që mund t’u kërkohen. Qeveria i tërhoqi vëmendjen popullsisë shqiptare për të mos rënë viktimë e propagandës së huaj, e cila kërkon të paralizojë çështjen kombëtare të Shqipërisë, me synimin për ta kthyer vendin në një viktimë të tyre. Interesi i shqiptarëve është të jenë të bashkuar përkrah qeverisë së tyre kombëtare. Shqipëria nuk ka krijuar tradhtarë, edhe pse shqiptarët janë të paveshur, pa këpucë, ushqehen me bukë e djathë, kanë qenë gjithnjë të bashkuar dhe tepër të kujdesshëm për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Qeveria shqiptare është e bindur se shqiptarët nuk do t’i tradhtojnë kurrë traditat e tyre.
Radio Tirana: 3 shkurt,1944
Qeveria shqiptare u tërhoqi vëmendjen për të fundit herë të gjithë atyre që bashkëpunojnë, simpatizojnë apo ndihmojnë terroristët dhe komunistët. Toleranca ka ardhur në fund dhe ata që veprojnë kundër interesave të vendit, do të ndëshkohen rëndë.
Detyra e të gjithë atyre që janë gënjyer dhe kanë lënë shtëpitë, është të rikthehen. Ministri i Punëve të Brendshme ka ngritur një komitet për të raportuar në lidhje me situatën në rajonin e Kosovës, Vlorës dhe Beratit. Ata, gjithashtu do të hartojnë një listë të numrit të banorëve para pushtimit italian, si dhe numrin aktual.
Radio Tirana: 5 shkurt, 1944
Prefektura e Tiranës ka lajmëruar për të gjithë shqiptarët rezidentë, të përhershëm ose të përkohshëm, se duhet të paraqiten te qendrat e Xhandarmërisë të zonës së tyre, duke treguar dokumentet e identitetit. Nëse ndonjë do të kapet pa dokumentet e identifikimit, ai do të konsiderohet një element i rrezikshëm dhe do të arrestohet menjëherë.
Prefektura lajmëroi më tej:
1-Të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të raportojnë në qendrat e Xhandarmërisë ku ata jetojnë, të marrin dokumentet e reja të identitetit.
2-Të gjithë të huajt duhet të paraqiten te qendrat e Xhandarmërisë, ku të marrin lejen e re të qëndrimit.
Radio Tirana: 7 shkurt, 1944
Kryeministri shqiptar, Rexhep Mitrovica propozoi dy ministrat e rinj në kabinet, për Arsimin dhe Punët e Jashtme. Ministrat e rinj kryen sot betimin. Qeveria Mitrovica, së bashku me elementët e rinj, do të jetë në punë për të zgjidhur problemet e mëdha që janë pezull prej një kohe të gjatë. Këto çështje kanë të bëjnë direkt me ekzistencën kombëtare. Ministri i Brendshëm paralajmëroi të gjithë ata që kanë lënë detyrimet dhe janë bashkuar me brigadat dhe me komunistët, se familjet e tyre rrezikojnë të internohen. Ministri i Brendshëm u dha urdhër të gjitha prefekturave për të kontrolluar të gjitha dyqanet e këpucëve dhe ata që kanë lëkurë të tepërt, ta deklarojnë para fundit të muajit.
(BalkanWeb)